Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar sërish dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për përfshirje në afera të mëdha korruptive dhe për pengim të funksionimit të drejtësisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha iu referua edhe një raporti të vitit 2014 të OSBE-së, për të cilin pretendoi se përmendet emri i Ramës në lidhje me akuza për fonde të depozituara në “offshore” në vlerën e 200 milionë eurove. Sipas tij, ndaj kësaj akuze nuk është ndërmarrë asnjë padi nga kryeministri.
“Përsëri jam këtu për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës nga detyra e kryeministrit. I cili rezulton jo vetëm i implikuar në mega aferat më të mëdha korruptive të Shqipërisë dhe Evropës, por është edhe pengesa e funksionimit të drejtësisë. Emri i Edi Ramës lidhet me akuzën direkte të raportit të OSBE në 2014, në të cilin njoftohet se Edi Rama mori detyrën e kryeministrit duke patur të depozituara në offshore 200 mln euro. Ndaj kësaj akuze konkrete, Rama nuk ngriti asnjë lloj padie”, deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri ngriti akuza edhe për pasuritë e Ramës, përfshirë banesën në Surrel dhe një pallat në Tiranë, për të cilat pretendoi se janë ndërtuar me fonde të pajustifikuara dhe në kundërshtim me ligjin. Ai përmendi gjithashtu një kompani ndërtimi, duke e cilësuar përfituese të tenderave publikë dhe duke e lidhur me ndërtimin e pronave në fjalë.
Berisha përdori tone të ashpra në adresimin e akuzave, duke e cilësuar kryeministrin si përgjegjës për “plaçkitje të fondeve dhe pasurive publike”.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga kryeministri Edi Rama apo nga përfaqësues të qeverisë lidhur me deklaratat e bëra nga kreu i opozitës.






