Përgatitjet për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” duket se kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa detaje të reja po qarkullojnë për datën e nisjes dhe drejtimin e spektaklit.
Sipas burimeve të “Indeksonline”, BBVK 5 pritet të nisë gjatë javës së parë të tetorit, më herët nga sa është mësuar publiku në edicionet e kaluara.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se procesi i përzgjedhjes së banorëve që do të bëhen pjesë e shtëpisë është përfunduar. Megjithatë, emrat e personazheve që do të garojnë në këtë edicion nuk janë bërë ende publikë zyrtarisht.
Alaudin Hamiti, i vetëm në moderim
Një nga ndryshimet kryesore të sezonit të ri pritet të jetë pikërisht në moderim.
Sipas raportimit, Alaudin Hamiti do ta drejtojë i vetëm edicionin e pestë, pas largimit të Jonida Vokshit.
Për Hamitin, ky do të jetë viti i pestë radhazi në krye të “Big Brother VIP Kosova”.
Ndërkohë, Jonida Vokshi, e cila e ka drejtuar spektaklin përkrah Hamitit në katër edicionet e para, ka konfirmuar se nuk do të rikthehet këtë sezon.
Vokshi ka zgjedhur të marrë një pauzë nga televizioni, për t’iu kushtuar më shumë filmit dhe teatrit.
Ndërsa emrat e banorëve mbeten ende të pazbuluar zyrtarisht, pritshmëritë për edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova” janë rritur, sidomos pas ndryshimit në moderim dhe nisjes së paralajmëruar më herët.





