Dy persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se përgatisnin dhe shisnin lëndë narkotike të llojit ekstazi, të shpërndara kryesisht në lokalet e natës në Tiranë.
Të arrestuarit janë identifikuar si Elvis Lezo, 42 vjeç, dhe Bujar Lezo, 59 vjeç, të afërm mes tyre. Sipas hetimeve, lënda narkotike sigurohej nga Italia dhe transportohej drejt Shqipërisë, ku përpunohej në banesën e tyre në zonën e Ali Demit.

Gjatë kontrollit në banesë, Policia konstatoi ambientin e përshtatur për përgatitjen e tabletave ekstazi dhe sekuestroi 2200 tableta me lëndë të dyshuar MDMA si dhe dy telefona celularë.
Operacioni u finalizua si rezultat i hetimeve disa javore me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë, duke i vënë në pranga dy të afërmit dhe duke i referuar materialet proceduriale për veprime të mëtejshme.
Policia apelon për qytetarët që të denoncojnë çdo aktivitet të dyshimtë në fushën e narkotikëve, duke vënë në dukje se ky operacion është një mesazh i qartë kundër trafikimit të drogës në vend.






