Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar gjatë seancës plenare krizën e çmimit të naftës, duke akuzuar shumicën dhe kryeministrin Edi Rama për favorizim të një karteli që rëndon xhepat e qytetarëve.
“Çdo shqiptar ndien neveri teksa sheh këtë Kuvend që vjen erë naftë për shkak se shumica nuk mbrojnë interesin publik, por të një karteli që në bashkëpunim me Edi Ramën ka shtuar sot kostot për çdo shqiptar, fermer e biznes,” u shpreh Blushi.
Ai kritikoi edhe Bordit e Transparencës, duke e cilësuar si “zhvatës” që ka rënduar barrën fiskale për qytetarët. Blushi theksoi se heshtja për krizën e naftës është më e dëmshme se çdo tjetër, duke nënvizuar se vendimmarrja për këtë problem duhet të ishte urgjente.
“Unë e di që shumica e deputetëve rimbursohen me taksat e shqiptarëve, por nuk ka krim më të madh sesa heshtja e kujtdo për një krizë që duhet të marrë zgjidhje,” përfundoi Blushi.






