Është zhvilluar ceremonia zyrtare e “Tirana European Youth Capital” në pallatin e Kongreseve. Në evenimentin e zhvilluar këtë të premte ishin të pranishëm të rinj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj si dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Veliaj i është drejtuar të rinjve me nëj mesazh, sipas së cilit: “Secili prej jush ka mundësi ta ndryshojë botën”.
“A mund ta ndryshoni shkollën tuaj, a mund ta ndryshoni klasën tuaj, veten tuaj, sepse një njeri që ndryshon veten mund të ndryshojë një klasë e një njeri që ndryshon një klasë ndryshon një shkollë e një njeri që ndryshon një shkollë ndryshon një qytet, një njeri që ndryshon një qytet ndryshon një komb, një njeri që ndryshon një komb mund të ndryshojë një kontinent dhe një njeri që ndryshon një kontinent mund të ndryshojë botën. Ti mund të ndryshosh botën! Edhe ti mund ta ndryshosh botën. Secili prej jush ka fuqinë dhe energjinë ta ndryshojë botën,” tha ai.
Veliaj u shpreh se ky është viti i Tiranës por edhe i gjithë të rinjve.
“Ky është momenti ynë, kjo është koha jonë, kjo është dita jonë dhe ky është viti ynë, si Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë. Kemi punuar shumë për këtë ditë dhe jam sot i përulur, jam sot me gjithë respekt, me gjithë dashuri, me gjithë falënderime për qindra çuna e goca që kanë punuar për tre vite që sot Tirana të ishte Kryeqytet Europian i Rinisë. Ju them me gjithë zemër: Faleminderit! Një mikpritje tironse të gjithë atyre që na kanë ardhur sot nga shumë vende të botës, atyre që na kanë ardhur nga Anglia, Italia, Franca, nga Greqia, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi. Nëse ju kam harruar, ju duam shumë. Welcome to Tirana!
Sot kemi një shans, kemi një instrument në dorë që quhet kryeqyteti Europian i Rinisë dhe ne shqiptarët e dimë si përballojmë sfidat. Ne rrëzohemi, por edhe ngrihemi shpejt bashkë. Ne kemi pasur dy vite të vështira edhe me tërmetin, edhe me pandeminë, por në momentet më të vështira ne kuptuam që kishim çuna e goca që trokitën në çdo derë me një kuti ushqimesh, me një kuti ilaçesh, me një telefonatë, një nevojë për ndihmë. Ndaj miqtë e mi kur kaluam këto histori të vështira si tërmeti dhe pandemia, imagjinoni çfarë mund të bëjmë në këtë vit, kur pandemia po shkon drejt fundit, ku pasojat e tërmetit po zgjidhen dhe kemi një mundësi që të festojmë dhe të punojmë si Kryeqyteti Europian i Rinisë” u shpreh Veliaj.
Në ceremoninë e hapjes ishte dhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca. Ai iu drejtua me një mesazh të rinjve që ishin të pranishëm në Pallatin e Kongreseve duke u shprehur se në Tiranë është Europa. Ai vlerësoi angazhimin dhe punën e bërë nga ekipi i të rinjve dhe Bashkia e Tiranës për marrjen e titullit “Kryeqyteti Europian i Rinisë”.
“Kam takuar shumë prej jush në Tiranë dhe mendoj se potenciali juaj është shumë i madh. Është koha që të jeni aktiv dhe të siguroheni që të jepni më të mirën në këtë mundësi. Mos e humbisni atë. “Tirana European Youth Capital 2022 është dhe një shans i Shqipërisë. Është një mundësi për të gjithë të rinjtë që të adresojnë dhe të ndajnë perspektivat e tyre për të ardhmen që ju doni në BE. Si BE ne jemi këtu që t’ju mbështesim në bashkëpunimin me ekipin e TEYC dhe Bashkinë e Tiranës për ta bërë një histori të suksesshme. Ne duam të inkurajojmë të gjithë të rinjtë, veçanërisht ata me më pak mundësi që të bëhen qytetarë aktivë dhe aktorë të ndryshimit. Ne dua të promovojmë mundësitë duke mbështetur politikat për të rinjtë dhe zhvillimin personal të tyre. Ne duam të inspirohemi prej vizionit tuaj, iniciativës suaj. Qytetarë të ardhshëm të Bashkimit europian. Shqipëria dhe BE kanë nevojë për vizionin tuaj për angazhimin dhe pjesëmarrjen për një të ardhme më të mirë që është, më e gjelbër dhe më digjitale. Le ta përmbyll me moton time: Europa është këtu sepse këtu është Europa”, deklaroi Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca.