Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka goditur ashpër Sali Berishën në një intervistë televizive, duke e akuzuar se po dëmton rëndë opozitën dhe proceset e rëndësishme të vendit. Kadilli deklaroi se shpallja non grata e ish-kryeministrit “nuk është çështje e shqiptarëve”, ndërsa dekoratat që Berisha ka marrë ndër vite i cilësoi “qesharake”.
Sipas tij, Berisha ka marrë tashmë “ndëshkimin më të madh politik”, ndërsa sot – me protestat e pakta dhe lidershipin e diskutueshëm – po uzurpon hapësirën opozitare me një mbështetje minimale.
“Sali Berisha, ‘non grata’, nuk është çështje e shqiptarëve. Dekoratat e Berishës janë qesharake. Ai mori ndëshkimin më të madh nga shpallja non grata. Këto janë probleme të tij personale dhe të atyre që e ndjekin, të cilët për mua janë më të dëmshëm se vetë Berisha. Këta pengojnë dhe uzurpojnë protestën politike. Protesta me 300 veta nuk ka asnjë vlerë, vetëm sa bllokon hapësirën politike,” tha Kadilli.
Ai shtoi se PD, nën ndikimin e Berishës, është futur në kurs të gabuar duke u përplasur me SPAK-un dhe me procesin e integrimit europian.
“PD është parti që sot quan SPAK-un ‘organizatë kriminale’, ndërkohë që SPAK ka çuar në burg ministra e zyrtarë të lartë. Nuk e konsideron dot SPAK aleatin e saj sepse SPAK ka në ndjekje Berishën. Kjo e vendos PD-në në kundërshtim me interesat e shqiptarëve,” u shpreh ai.
Kadilli theksoi se sulmet ndaj negociatave me BE-në janë një tjetër dëmtim serioz për vendin.
“Shqiptarët duan Europën, duan integrimin, si garanci për një shtet të drejtë. Ndërsa Berisha i sulmon negociatat. Shqipëria nuk ka prodhuar një qeveri që shqiptarët ta pranojnë, ndaj integrimi është i domosdoshëm,” u shpreh ai.
Në mbyllje, Kadilli nënvizoi se beteja personale e Berishës ndaj kryeministrit Rama ka mbajtur peng opozitarizmin.
“Berisha nuk e duron dot Ramën, por nuk e rrëzon dot kurrë kështu. Vetëm bërtet dhe ulërin. Kjo është të mbash peng opozitën, median dhe mjetet që i ke siguruar kur ke pasur pushtet,” deklaroi ai.






