Me një arrogancë dhe propagandë të paskrupullt, tashmë edhe në nivel ndërkombëtar, Edi Rama nuk heziton të shfrytëzojë tragjedinë me humbjen e jetës së një fëmije në shkollën “Fan Noli” në Tiranë për qëllime politike. Në vend që të merrej me përgjegjësinë dhe të ofronte zgjidhje për sigurinë e shkollave, Rama po përdor keqazi këtë tragjedi për të mbyllur platformën online TikTok për një vit, duke e paraqitur si një veprim për të mbrojtur fëmijët, ndërkohë që nuk ka ndërmarrë asnjë masë për sigurinë e jetës së nxënësve brenda shkollave.
Si mjeshtër i manipulimit publik, Rama po i përdor prindërit si mjet për të justifikuar një vendim të papranueshëm dhe jashtë realitetit. Para se të kërkonte mendimin e prindërve për TikTok, ai do të duhej t’i pyeste se sa të sigurtë ndjehen ata për fëmijët e tyre në shkollat që vazhdojnë të jenë të paizoluara dhe pa mbrojtje adekuate. Në shumë shkolla, mungesa e sigurisë është shqetësim i përditshëm, pasi shumë prej tyre ende nuk kanë as roje të derës, një problem që ka mbetur pa zgjidhje për vite me radhë.
Rama ka 12 vjet në pushtet, por nuk ka investuar në asgjë për përmirësimin e kushteve të shkollave. Përkundrazi, ai ka injoruar nevojat bazike të nxënësve, duke lënë shkollat të pasigurta dhe të pafuqishme për të mbrojtur jetën e fëmijëve. Ndërkohë që TikTok mbetet një shqetësim jo i shkollës, por i manipulimit politik, prindërit janë të detyruar të paguajnë për roje shkollash në mënyrë private. Ky është realiteti i hidhur dhe i frikshëm që përjetojnë ata.
Nëse Rama do të kishte vërtet interes për cilësinë dhe sigurinë e shkollave, ai do të kishte investuar që në fillim për të siguruar kushte të denja: nga rojat e shkollave dhe përkujdesja ndaj mësuesve të kualifikuar, te infrastruktura digjitale dhe pajisjet e nevojshme për mësimdhënie. Por ai ka lënë shkollat të jenë si “hane pa porta”, ku vetëm TikTok “nuk hyn”. Në vend që të ofronte një zgjidhje reale për sigurinë e fëmijëve, Rama po shfrytëzon tragjedinë për të shpërqendruar vëmendjen dhe për të shitur një politikë të dështuar.






