Nga foltorja e Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi ashpër ministren Belinda Balluku dhe mazhorancën, duke paralajmëruar se drejtësia do të ndjekë çdo hap të saj.
“Do e shihni, u them unë ju. Prisni, zbatoni urdhra, por u garantoj se do votoni kokëvarur që ajo të shkojë në burg. Dhe pastaj edhe të tjerët. A e shihni çfarë ndodh me Ajatollahun apo jo? Koha e diktatorëve ka ikur. Shqiptarët janë zgjuar, shqiptarët shohin diktatorët të bien njëri pas tjetrit. Mendoni se do durojnë Edi Ramën? Jo, koha e tij ka marrë fund. Koha juaj ka marrë fund. Vendi juaj është atje ku shkojnë kriminelët”, tha Berisha.
Ai akuzoi Ballukun si një “superhajdute” që ka përvetësuar qindra milionë dhe miliarda lekë dhe përdorur elementë të rrezikshëm për të kërcënuar institucionet e drejtësisë: “Ajo është një hajdute që ka vjedhur shqiptarët me Edi Ramën dhe vetëm, qindra milionë dhe miliarda. Ajo është një superhajdute që ka përdorur bandat më të rrezikshme, ka përdorur elementët më kriminelë për të kërcënuar punonjësit e prokurorisë dhe institucionit të akuzës dhe asaj i dilni zot ju se jeni mëkatarë.”
Berisha akuzoi gjithashtu mazhorancën për pengim të shtetit ligjor dhe lidhje me Edi Ramën: “Përderisa Shqipëria ka zgjedhur rrugën e integrimit dhe integrimi është një proces sa kombëtar, aq edhe ndërkombëtar, shteti ligjor në Shqipëri është sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar, dhe ju për hir të saj, për hir të Edi Ramës bllokoni shtetin ligjor.”
Në fund, kryedemokrati i bëri thirrje deputetëve të vendosin drejtësinë mbi mercenarizmin dhe të reagojnë ndaj krimeve të supozuara të Ballukut: “Mos u bëni mercenarë të Lubisë. Mos u bëni mercenarë se u dinë të gjithë, ju keni firmat tek Lubia. U përdor ajo në momentet e fundit. Mos i ndiqni këta se këta janë të lidhur këmbë e xhep me Edi Ramën.”
Gjithashtu, Berisha kërkoi respekt ndaj historisë dhe viktimave të gjenocidit serb në Kosovë, duke kujtuar edhe heroizmin e Adem Jasharit dhe familjes së tij.






