Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, ka qenë i pranishëm sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku ka pasur një debat me deputetin e PD-së Lefter Gështenja sa i takon inceneratorit të Elbasanit, për energjinë që është prodhuar nga djegia e mbetjeve.
Gështenja e pyeti Ahmetin në lidhje me çmimin që është blerë energjia e prodhuar nga inceneratori, dhe për kushtet e kontratës së nënshkruar mes koncensionarëve dhe shtetit shqiptar. Ahmeti tha se inceneratori i Elbasanit ka prodhuar energji, e cila është hedhur në rrjet, dhe mënyra që ajo ti kthehet pas kësaj ndërmarrje, që tani është në administrim të Bashkisë së Elbasanit, është këmbimi mall me mall.
Pra e thënë më thjesht, sipas drejtorit të ERE-s do të bëhet një përllogaritje e energjisë së konsumuar nga inceneratori, dhe asaj së prodhuar, për të bërë një zerim të shifrave. Sipas tij ende nuk ka një çmim të përcaktuar për blerjen e energjisë së prodhuar nga inceneratorët, dhe se enti që ai drejton ka humbur një betejë në gjykatë me kompaninë koncensionare të Elbasanit.
Gështenja: Me çfarë çmimi është shitur energjia që është prodhuar në inceneratorin e Elbasanit, dhe kujt ia ka shitur këtë energji?
Petrit Ahmeti: Ju kërkoj ndjesë që ta nis nga pyetja e fundit në lidhje me inceneratorin, ne e kemi licensuar që nga momenti i nisjes së punës së tij. Aty është prodhuar energjie elektrike, dhe ka një balancë mes prodhimit dhe konsumit.
Inceneratori i Elbasanit, ka prodhuar energji në funksion të aktivitetit të tij, kjo sasi energjitike, që normalisht duhej ti jepej OSHEE nuk ka pasur një çmim, inceneratori ka një fuqi më të madhe se ajo e përcaktuar në ligj, duke qenë se energjia që është hedhur në rrjet nuk është paguar, do të kemi një kompesim mall me mall.
Tani që është marrë në dorë nga Bashkia e Elbasanit, kemi nisur procedurat për përcaktimin e një çmimi për energjinë që prodhon, përtej faktit që jemi në një proces gjyqësor, për shkak se na është kërkuar një vendim jashtë kompetencave tona. Faza e parë i ka dhënë të drejtë kompanisë administruese të inceneratorit, tani që janë përballë dy struktura shtetërore do të jetë më e lehtë që të marrim një vendim.
Gështenja: Në kontratë parashikohet qartë që të treja kompanitë e inceneratorëve duhet ti paguajnë shtetit energjinë që konsumojnë, në kontratë thuhet se prej 5 vitesh, Elbasani duhet të kishte prodhuar energji, që duhej ti ishte shitur OSHEE-së, me një çmim të caktuar. Gjë që sot duhet pranuar publikisht që nuk ka ndodhur, këta inceneratorë nuk kanë prodhuar asnjë lekë energji, unë besoj se ju duhet të jeni në dijeni të kontratave.
Ahmeti: Nuk është fakti se nuk bjemë dakord, unë po flas për pozicionin e ERE në lidhje me këtë proces, në atë incenerator është prodhuar energji dhe është hedhur në rrjet, pra aktiviteti i inceneratorëve nuk është kompetencë e jona. Inceneratori prodhon dhe hedh energji në rrjet, mund të bëhet në dy mënyra, që të bëhet balanci i energjisë që është hedhur në rrjet, dhe asaj që ata kanë konsumuar, dhe e dyta vendosja e një çmimi, për të cilin jemi në fazë diskutimesh.