Deputetja e PD-së Grida Duma ka folur me tone të ashpra sot në parlament, duke hedhur akuza ndaj maxhorancës. Duma e nisi fjalën e saj me restaurimin e Muzeut Kombëtar dhe simbolikën e tij për të kaluar te mbrojtja që i bën maxhoranca, ndërkohë që ajo që është historia e vërtetë e Shqipërisë në Durrës hidhet në det.
“Muzeu Kombëtar i cili ka këtë ballinën dhe e shpjeguar është që në mes është Nëna Shqipëri që i prin historisë me pushkë në dorë. Sikur Nëna Shqipëri t’i printe historisë me pushkë në dorë pa asnjë dyshim që nuk do linte që bijtë e ca nënave t’i bëhej pushka top në korrupsion, duke bërë që bij nënash të degdiseshin atje ku qengji as e lë dhe as e gjen kopenë. Se këtu rilindasi i vërtetë Naim është diku në cep, por ballina që tregon historinë e Shqipërisë, është argumentuar në debate të ndryshme përfaqëson të shkuarën se Shqipëria në ballë duhet të ketë të shkuarën, jo të të tashme; kjo Naimin e ka në fund dhe është amnistuar se i është hequr ylli me 5 cepa, por i është lënë shalli i pionerit dhe ecën përpara Shqipëria.
Shqipëria që ecën përpara dhe nuk bën kurrë as një diskutim me veten të vërtetë, le më me partnerët dhe donatorët. Vihet në komisione dhe thuhet mos bëni tani opozitën se po marrim ca lekë, si plaçkë, po marrim ca lekë”, deklaroi Duma.
Sipas saj, edhe shkenca, edhe arti, edhe historia, janë çështje ‘hajde të marrim ca lekë’ dhe në fund fare përsëri simbolizmi, paraqitja, marrëdhënia jonë me simbolet duhet të jetë përsëri plaçkë dhe ne të mos flasim se marrim ca lekë.
Ajo theksoi më tej se ai është një mozaik, mund të qëndrojë në histori, ka vlerën e kohës së vet, por nuk mund të jetë ballina e Shqipërisë
“Unë nuk do t’i hyj debatit konstruktiv artistik të autorëve të nderuar të kësaj vepre, por një gjë e them me siguri. Ai është një mozaik, mund të qëndrojë në histori, ka vlerën e kohës së vet, por nuk mund të jetë ballina e Shqipërisë. Sepse nëse do të ishte kështu dhe do të ishit të shqetësuar për çdo vepër të anatemuar ose jo, për ato vepra që janë mozaikët, që gjendeshin tek ajo pjesë e antikitetit shqiptar në Durrës, te Pompei i Shqipërisë i keni shkep dhe i keni hedhur në det në sekondë, për ca veliera betoni, për ca fitime betoni dhe vazhdon bëhet. Për ato mozaikët me mijëra vite nuk pyeti njëri nëse ishin të realizmit socialist se nuk jeni realistë me atë që realisht është historia e vendit tonë. Se s’jeni realistë sepse nuk e doni këtë vend me shpirt realisht.
Artin nuk e pronësoni dot, nuk e bëni dot as realist as socialist, megjithëse mund të jeni specialistë te kjo. Sepse bëni një promovim të posterit të librit dhe atë e bëni mavi. Bëni një shtrim tapeti për Ermonela Jahon dhe atë mavi, ndizni dritat për këngëtaret shqiptare dhe ato i ndizni mavi. Se e dini ju forcën e simbolizmit, por arti nuk është mavi. Është përtej përkohshmërisë shumë të vogël të kësaj klase politike, por që jeni artistët e mavijosjes, kjo nuk ka asnjë diskutim. Por që mendoni që do të vazhdoni përsëri me ideologji që dhe tek arti si vampirët të përfitoni nga simbolika për ta çuar në politikë, që dhe te kjo të përfitoni pak nga ballina për ta çuar Shqipërinë në të shkuarën patjetër që këtë po e bëni, sepse guidoheni nga një artist që thotë unë jam më injoranti se nuk kam grada shkencore”, deklaroi Duma.