Një 21-vjeçar shqiptar është dënuar me 3 vite e 8 muaj burg nga drejtësia italiane, pasi u shpall fajtor për grabitje dhe ushtrim dhune ndaj një 14-vjeçari, të cilin, sipas hetimeve, e kishte mbajtur nën presion për muaj me radhë për t’i marrë para.
Vendimi u dha në procedurë të përshpejtuar nga gjykata në Borgo San Lorenzo, ku edhe kanë ndodhur ngjarjet, në periudhën mes shtatorit 2024 dhe prillit 2025. I pandehuri kishte qenë më herët në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ku priti edhe shpalljen e vendimit.
Sipas dosjes hetimore, i riu vepronte në bashkëpunim me disa bashkëmoshatarë, duke ndaluar rregullisht të miturin në rrugë dhe duke e detyruar, nën kërcënime të vazhdueshme, t’u jepte para. Shumat e marra ishin të vogla – nga disa monedha deri në 15 euro – por në total dyshohet se arrinin rreth 200 euro.
Kërcënimet, sipas dëshmive, ishin të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejta: “Nëse nuk më jep para, do të të rrah” apo “do të vij të të gjej në shtëpi”. Për shkak të frikës, 14-vjeçari nuk kishte treguar për një kohë të gjatë asgjë në familje.
Situata doli në dritë vetëm më 26 prill 2025, kur i riu dyshohet se i mori me forcë portofolin viktimës. Pas kësaj, babai i të miturit ndërhyri, por sipas hetimeve u sulmua nga grupi me shkopinj.
Falë dëshmive të viktimës dhe identifikimit përmes fotografive, autoritetet arritën të zbardhin ngjarjen dhe të identifikojnë personat e përfshirë. Përveç 21-vjeçarit të dënuar, në hetim janë përfshirë edhe tre të rinj të tjerë, të cilët në kohën e ngjarjes ishin 16 dhe 17 vjeç.
Rasti ka ngritur shqetësime për fenomenin e dhunës dhe zhvatjes mes të rinjve, si dhe për ndikimin që kërcënimet e vazhdueshme mund të kenë tek viktimat e mitura.






