Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e së dielës, 12 janar 2024, te Pallati me Shigjeta, ku 56-vjeçari Bujar Nasufi u ekzekutua me armë zjarri teksa ishte në automjetin e tij. Viktima u qëllua në momentin kur po afrohej te dera e shtëpisë.
Në vendngjarje, policia ka gjetur 6 gëzhoja, të cilat dyshohet se i përkasin armës së përdorur nga autori, i cili ishte i maskuar me një kapuç dhe u largua menjëherë pas ngjarjes me një motor të zi drejt zonës së Selitës.
Plagosja fatale dhe detajet
Nasufi, i cili ishte pronar i një mobilerie së bashku me vëllain e tij, nuk i mbijetoi plagëve të marra në pjesën e sipërme të trupit. Ai ndërroi jetë rrugës për në Spitalin e Traumës.
Sipas burimeve paraprake, viktima nuk kishte asnjë precedent penal dhe jetonte një jetë të qetë. Aktualisht, hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të siguruar prova të mëtejshme.
Forcat e rendit kanë ngritur postblloqe në disa akse kryesore dhe po punojnë intensivisht për kapjen e autorit. Paraprakisht, dyshohet se ngjarja mund të jetë e lidhur me motive personale ose konflikte të fshehta, megjithëse ende nuk ka asnjë të dhënë të konfirmuar për motivin e krimit.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet kanë bërë apel për bashkëpunimin e qytetarëve që mund të kenë informacion mbi ngjarjen.
“Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin Bujar Nasufi rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën”,- informoi policia e kryeqytetit.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.