Përfaqësuesi i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Elton Laska, ka shprehur mbështetjen e tij për bojkotin e mjekëve të urgjencës përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai denoncon publikisht Ministrinë e Shëndetësisë për abuzime me pagat e mjekëve dhe përkeqësimin e kushteve të punës në spitalet publike.
“Kontratat që mjekët kanë me spitalet specifikojnë se bluzat e bardha duhet të paguhen 5700 lekë për një ditë shërbimi në urgjencë. Ndërkohë, nga përllogaritja e pagës që u ka kaluar në bankë, rezulton se dita e punës për mjekët e urgjencës është paguar me vetëm 2600 lekë të reja,” thekson Laska në deklaratën e tij.
https://www.facebook.com/share/p/19kPZa8LAx/?mibextid=wwXIfr
Ai kritikon prioritetet e qeverisë, e cila sipas tij, vijon të alokojë miliona për projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP) të dyshimta, ndërkohë që neglizhon nevojat bazë të sistemit shëndetësor. Sipas Laskës, kjo situatë ka krijuar një ambient pune të papranueshëm për mjekët e urgjencës, të cilët përballen me mbingarkesë, mungesë stafi dhe kushte të vështira pune.
“Ky bojkot është një thirrje drejtuar autoriteteve për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme, si rritjen e financimit për shëndetësinë, përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave dhe sigurimin e stafit të mjaftueshëm,” vijon ai.
Në përfundim, Laska nënvizon rëndësinë e trajtimit me dinjitet dhe respekt të profesionistëve të shëndetësisë, duke theksuar se ndryshimi i vërtetë mund të vijë përmes kutisë së votimit në zgjedhjet e ardhshme më 11 maj 2025.
“Ky sistem, që nëpërkëmb dinjitetin e atyre që shpëtojnë jetë, duhet shembur me votë,” përfundon Elton Laska.