Prirjet e larta të emigracionit nga Shqipëria pritet të krijojnë mungesa shqetësuese të fuqisë punëtore në të gjithë sektorët e ekonomisë për të gjitha llojet e profesioneve deri në vitin 2030, thotë një studim i fundit i Fondacionit të Trajnimeve Europiane.
Studimi vë në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor, por sidomos Shqipëria do të përballet me një krize të tregut të punës, që po krijohet në mënyre specifike nga emigracioni i lartë i moshave të reja.
Studimi vuri në dukje se, brenda periudhës së projeksionit 2020–2030, rezultatet e skenarit bazë tregojnë se, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të përballen me mungesë të fuqisë punëtore për të katër grupet e aftësive ( me arsim të ulët, të mesëm, të lartë dhe profesioneve). Nga ana tjetër, Bosnje dhe Hercegovina do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore kryesisht në nivelin e ulët dhe të mesëm të arsimit, ndërkohë që do të ketë një ofertë më të lartë në tregun e punës në grupin e personave me arsim të lartë.
Në mënyrë të ngjashme, Mali i Zi gjithashtu do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore me arsim të ulët në të njëjtën periudhë, por me një tepricë të punonjëseve me arsim të lartë.
Kosova do të përjetojë mungesa e fuqisë punëtore me arsim të ulët dhe me arsim të lartë menjëherë pas periudhës së projektimit, por do të ketë furnizime më të bollshme se kërkesa për punonjësit me arsim të mesëm.
Studimi e konsideron nivelin e lartë të emigracionit si shkaktarin kryesor për deformimet që do të krijojë në tregjet e punës në Ballkan gjatë dekadës në vijim.
Emigracioni i personave me arsim të lartë, nëse është i vazhdueshëm dhe intensiv, siç po ndodh, me kalimin e kohës mund të gjenerojë mungesa të kualifikimesh për punonjësit dhe në varësi të nevojave të tregut të punës. Me kalimin e kohës mund të kthehet kurth për ekonomisë, pasi emigrimi i të arsimuarve sot pengon në të ardhmen e afërt tërheqjen e investimeve të huaja në sektorë me vlerë të lartë.
Shqipëria duket se është më prekur nga fenomeni i emigracionit. Të dhënat e tjera të INSTAT treguan se emigracioni neto (diferenca ndërmjet të ikurve dhe të kthyerve) ishte minus 43 mijë persona me 2021. Studimi i Qendrës Rajonale të Trajnimeve tregon se, largimi i trurit ka qenë veçanërisht dramatik për Shqipërinë, ku 40% e personave me arsim të lartë dhe stafeve akademike kanë emigruar.
Në tre vitet e fundit mungesa e punonjësve është kthyer në shqetësimin kryesor të klimës së biznesit në disa sektorë të industrisë përpunuese. Bizneset pohojnë se, mungesat janë evidente për të gjitha llojet aftësive dhe nivelet arsimore. Problemet më të mprehta po i kalojnë fabrikat e fasonit, të cilat po përballen me një mungesë akute të punonjësve në një kohë që kërkesa për punë nga jashtë është shumëfishuar.
Sipas INSTAT, në total, në vend kishte 36 mijë banorë më pak në janar të vitit 2022, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Por, zhvillimi më shqetësues është fakti që në pjesën më të madhe të kësaj tkurrjeje ka ndikuar rënia e numrit të grup-moshës 20-24 vjeç, që është dhe pjesa më vitale dhe në moshë produktive e popullsisë. Kjo grup-moshë shënoi një rënie me 15 mijë persona, duke ndikuar në gati gjysmën e tkurrjes së popullsisë totale të vendit. Rënia në vlerë është gati tre herë më e lartë se grup-moshat e tjera, një faktor indirekt që efektin më të lartë nuk e kanë dhënë zhvillimet natyrore të popullsisë, por emigracioni.