Policia e Fierit ka arrestuar një 17-vjeçar nga lagjja “Mbrostar Ferko”, pas një konflikti që përfundoi me plagosjen e një bashkëmoshatari. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar, ku i riu goditi me mjet prerës në këmbë një 16-vjeçar, pas një zënke të çastit për motive të dobëta.
Sipas njoftimit të policisë, pas disa orësh kërkimesh intensive, autori i dyshuar u lokalizua dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier. Ndërkohë, 16-vjeçari i plagosur ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj 17-vjeçarit po kryhen hetime të mëtejshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.