Një ndërhyrje e pazakontë kirurgjikale në Sri Lanka ka nxjerrë në pah një rast ekstrem, pasi mjekët hoqën një gur prej 3.1 kilogramësh nga fshikëza urinare e një 55-vjeçari.
Operacioni u krye në një spital në Trincomalee, pasi pacienti, i cili ishte shtruar për shkak të një goditjeje në tru, kishte raportuar gjithashtu vështirësi në urinim.
Guri ishte 18.7 centimetra i gjatë, me përmasa të krahasueshme me një vezë struci dhe me peshë afërsisht sa një foshnjë e porsalindur.
Kirurgu që drejtoi ndërhyrjen, Dr. Pragalathan Balakrishnan, tha se, sipas të dhënave në dispozicion, bëhet fjalë për gurin më të madh të fshikëzës të dokumentuar dhe të hequr me ndërhyrje kirurgjikale.
Mjeku beson se guri mund të ketë qëndruar në fshikëzën e pacientit për 5 deri në 10 vjet.
Pacienti ndodhet ende në spital dhe, sipas mjekëve, është në gjendje të mirë shëndetësore.
Për krahasim, një gur i fshikëzës me madhësi mbi 4 centimetra konsiderohet tashmë gjigant.




