Pas vitesh problematikash dhe mungese ndërhyrjeje, një nga kanalet kryesore kulluese në Vlorë po i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë nga Bashkia, me qëllim parandalimin e përmbytjeve dhe rikthimin e funksionalitetit të tij.
Punimet kanë hasur vështirësi për shkak të ndërtimeve të shumta përgjatë gjurmës së kanalit, disa prej tyre pa leje, madje edhe mbi vetë strukturën e tij, përfshirë një vilë trekatëshe.
Kryetarja e Bashkisë, Brunilda Mersini, bëri të ditur se janë identifikuar të gjitha objektet problematike dhe për banorët e prekur është ofruar bonus qeraje për lirimin e hapësirave. Sipas saj, ndërhyrjet e deritanishme kanë dhënë efekt, pasi qyteti nuk ka pësuar përmbytje, pavarësisht reshjeve intensive.
Projekti përfshin gjithashtu rikthimin në funksion të një baseni pritës, ndërsa Bashkia paralajmëron se çdo ndërtim që pengon mirëmbajtjen e kanalit do të hiqet, në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetit.






