18.5 C
Tiranë
Thursday, September 26, 2024
spot_img

Gjekmarkaj: “Gjyqi për shpifje ndaj Salianjit i nxjerrë nga sirtari dy vite para afatit, kjo nuk ndodh rastësisht”

Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj ka reaguar për gjyqin ndaj kolegut të tij Ervin Salianji për çështjen “Babale”.

Gjekmarkaj shkruan se në vendin tonë shpifja mbretëron sovrane, por zgjidhet Salianji për t’u bërë viktimë e diçkaje më të dyshimtë se nata.

Sipas tij, çështja “Salianji” doli me dorë nga sirtari, e pilotuar siç flitet nga rendi që i binte pas dy vitesh të gjykohej dhe kjo thotë Gjekmarkaj nuk ndodh rastësisht, me gjasë, me shumë gjasë, një vendim politik është marrë për Ervin Salianjin.

DEKLARATA E GJEKMARKAJT
Gjithë të interesuarve mbi procesin politik ndaj Ervin Salianit!
Siç mësova sot me datën 4 korrik zhvillohet gjyqi ndaj deputetit Ervin Salianji me akuzën “kallëzim i rremë” për çështjen “Babale” për atë përgjim që jo pak tolloviti politikën dhe opinion publik shqiptar. Ndonëse prej javësh lajmi kishte trokitur mes nesh jo zyrtarisht.

Në shkallën e parë politikani i njohur i opozitës u dënua me një vit heqje lirie duke shënuar një rekord në historinë e 32 viteve liri të dënimit për shpifje kur çfarë nuk na kanë dëgjuar veshët e parë sytë. Në vendin tonë shpifja mbretëron sovrane. Por zgjidhet Salianji për t’u bërë viktimë e diçkaje më të dyshimtë se nata.

Ky është rasti tipik i drejtësisë me dy standarde. U mbush Tirana me fjalë për inceneratorët ku dëmi ndaj shtetit ishte miliona e miliona euro, u fol për politikanë të lartë të PS-së dhe ministra të qeverisë Rama, për flet arreste e makina policie që po niseshin nga SPAK. Asgjë nuk ndodhi, çdo gjë u thye në mes.
Ky krahasim nuk na ndihmon shumë si ekuilibër i padrejtësisë për të justifikuar padrejtësinë po ama për të kuptuar dy standardet po.

Çështja “Salianji” doli me dorë nga sirtari, e pilotuar siç flitet nga rendi që i binte pas dy vitesh të gjykohej. Kjo nuk ndodh rastësisht, me gjasë, me shumë gjasë, një vendim politik është marrë për Ervin Salianjin. Për të duhet të flasë Sali Berisha, Lulzim Basha, Gazment Bardhi, Enkeled Alibeaj të gjithë ata politikanë që e konsideruan të drejtë atë kauzë.

Shumëkush në Tiranë beson se ish-ministri i brendshëm e deputeti aktual Fatmir Xhafa i prekur më shumë se kushdo nga kjo histori ka një interes personal për këtë proces.
Të gjithë e dimë që pas këtij “përgjimi” Xhafa u detyrua të shpinte në burg në Itali vëllain e tij i cili ishte dënuar kohë më parë në shtetin fqinj me gati 7 vjet, por në Shqipëri jetonte i lirë si biznesmen.

Edhe pse e paimagjinueshme dhe kontradiktë e madhe ligjore dhe etike, duhet të ketë qenë një dramë personale.
Po kaq karriera e tij si anëtar qeverie u ndërpre e po aq duhet ta ketë shënuar si brengë në biografinë e tij. Ne që jemi marrë me analizë politike e dimë që Fatmir Xhafa ka qenë në krye të reformës në drejtësi dhe gjerësisht është i përhapur opinioni se shumë gjyqtarë e prokurorë të vendosur në strukturat e reja të drejtësisë janë aty edhe me bekimin e nën ndikim e tij. Kjo drejtësi nuk duhet të përdoret si sfurk siç në çdo kafene të Tiranës gumëzhihet.

Unë nuk dua të gjykoj askënd, as Salianjin që ka kryer një denoncim i cili mbetet një denoncim si ato që politika ka detyrë t’i shpërfaqë pasi i vijnë nga një gazetari që do mbështetje se frigohet përballë gjithë pushtetit dhe krimit.

Po aq s’dua të gjykoj, Fatmir Xhafën, për të cilin ka zëra që betohet para varrit të nënës dhe kudo që ka koinfidencë për hakmarrje.

Personalisht nuk do të shtyhesha kurrë aq larg sa Salianji në një vend si yni ku të përdorin të gjithë e nuk të mbron askush, në emër të një politike që me të vërtetat paska shumë pak lidhje për t’i shtyrë njerëzit kah e drejta finale as, për ta goditur politikisht sepse disa të vërteta shkojnë përtej mundësisë që ato të marrin formë, madje ato shndërrohen në rrezik e kërcenim kur shteti që duhet të mbrojë ndihet i tulatur dhe i dorëzuar, por po kaq të pamundur do ta kisha bashkëjetesën me hakmarrjen si ajo që për Xhafën thuhet. Mbase kultura ime e krishterë më pengon për këtë.
Hakmarrja e një individi nuk mund të jetë gjeneratori i një shteti dhe i një trupe gjyqësore.

Po këtu jemi ende në fushën e emocioneve dhe jo të shtetit të së drejtës i cili është ku e ku më i ftohtë.
Gjyqtarja Petro për profesionalizmin dhe ndershmërinë e së cilës s’kam ndonjë gjë për të komentuar sepse thjeshtë se njoh, por është bashkëshortja e Sadushit një eksponenti të lartë të drejtësisë së re dhe të dy bashkë miq të ngushtë të Fatmir Xhafajt. Si e tillë e të tillë të paragjykuar. Do të ishte në nderin e saj të tërhiqej nga ky gjykim për të cilin dyshohet së vendimi është marrë.

Në këtë shqetësim personal ju drejtohem ju të nderuar gjyqtarë, ju zoti Kryeministër dhe Shkëlqesisë së saj Kim si faktor dorëzanie i kësaj reforme drejtësie dhe shqiptarëve që proceset gjyqësore nuk duhet të lindin nga lobimet, por nga nevoja për drejtësi.

Dënimet nuk duhet të jenë kompensim për lëndimet e luftës politike, por përfundim i shqyrtimit të fakteve.
Nuk mund të lë pa përmendur që dy eksponentë të politikës nuk iu dha të drejtë në gjyqin kundër një tjetër politikani të së majtës me argumentimin e të nderuarës gjykatë: “se në politikë mund të thuhet gjithçka, madje dhe të pavërteta personale se është çështje e fushatës politike”.
Me të njëjtin kut e masë këtë gjyq ku Salianji dhe të tjerë në atë denoncim, kanë bërë një akuzë të bazuar në dëshmitarë, vërtetësia e së cilës mund të provohet, por jo të gjykohet Salianji e të tjerë.

Gjatë opozitës 9-vjeçare Salianji prej denoncimeve të forta apo protestave te organizuara si Sekretar për aksionin qytetar në PD është proceduar më shumë se 600 herë dhe të gjitha çështjet janë pushuar ose mbyllur!
Te çështja Xhafaj, prokurorët dhe gjyqtari janë larguar nga vettingu çka i bën ata të paragjykuar dhe vulnerabël kur e kanë dhënë vendimin!
-Çështja e nxjerrë për gjykim prej gjyqtares Edlira Petri për ditën e Hënë duket, ngjan e qëmtuar për shkak se është nxjerrë thuajse 2 vite para afati siç juristet po thonë, po e njëjta gjyqtare ka çështje të vitit 2017 që ende nuk i nxjerr për gjykim çka e paragjykon si me motiv politik nxjerrjen e kësaj çështje ku për denoncim publik kërkohet burg politik.
Për asnjë çast nuk pretendoj se di të vërtetën e fundit mbi këtë çështje, mendoj që secili duhet të përballet politikisht për deklarata politike, e sigurisht nuk mund të imagjinoj që të bëhet preja e një gjyqi të formësuar si politik.

Salianji është një politikan energjik e aktiv funksion që e ka krye gjithmonë në opozitë! Nuk ka administruar para publike, s’ka dhënë tendera, thjesht ka denoncuar për kanabisin, për trafiqet, për korrupsionin, lidhjet me krimin e vjedhjen e votave natyrisht ka bërë shumë armiq të cilët shndërrohen në të tillë sapo u preken interesat që nuk janë të pakta.

Në këtë moment Opozita është e trazuar dhe pushtetit duket i plotfuqishëm por shqiptarët shohin dhe gjykojnë këdo. Dialektika na mëson se ka parime të përjetshme por jo karrige, individ, apo pushtet.
Ata (shqiptarët) shohin ju zotërinj gjyqtarë sa jeni të pandikuar nga politika, sa të pavarur dhe të drejtë jeni!
Ata shohin Kryeministrin për të cilin thuhet se e kontrollon në masë dominuese sistemin e drejtësisë e deri ku shkon dora e tij për të shmangur kundërshtarët politik!
Ata po kaq shohin edhe Zonjën e nderuar Kim sa do ta monitorojë ajo dhe ambasada e SHBA gjyqin e katër korrikut këtë provë të madhe pavarësie a varësie të këtyre organeve ndaj politikes. Zonja Ambasadore në ligjërimin e saj në çdo rast ka nxitur dhe theksuar pavarësinë e gjyqësorit.
Opozita akuzon dhe dënohet me burg. Akuza në Shqipëri duhet shuar me burg ky është mesazhi që marrim.
Paratë e shqiptarëve vidhen. Krimi sundon dhe ndikon politiken e shumë më tepër pushtetin po ky i fundit nuk paguan. Opozita paguan. Salianji paguan. Piramida shtetërore sheh me sy të ëmbël pushtetin e na lind e drejta të dyshojmë edhe për trupën gjyqësore. Kjo është një tjetër skifo e antropologjisë sonë shoqërore në raport me atë që duket i fortë dhe ndëshkon me lehtësi të dobëtin.

Po kaq ata shohin edhe Fatmir Xhafajn për të ndarë legjendën që e konsideron si Kubenë e një sistemi të ri me të vërtetën që vetëm ai e di apo të një politikani që nuk komandohet nga hakmarrja e tij aq sa të njollosë imazhin e institucioneve me miqësitë e veta. Fatmir Xhafa i cili ka qenë në krye të reformës në drejtësi “ati” i saj mund të shndërrohet në “vrasësin” e saj duke i lënë vetes në fund të karrierës bash këtë nishan mbi gjoks po ia lejuan.
E di, është e lehtë të jesh i mirë dhe e vështirë të jesh i drejtë, por po kaq di se drejtësia shqiptarë sot ngjet shumë me shpirtin e Judës.
Agron Gjekmarkaj
Zëvendës Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT