Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka vendosur në favor të politikës së administratës së presidentit Donald Trump lidhur me deportimet masive, duke i hapur rrugë heqjes së mbrojtjes ligjore për qindra mijëra emigrantë që jetojnë në SHBA.
Me një vendim 6–3, gjykata përcaktoi se gjykatat nuk kanë kompetencë të rishikojnë vendimet e ekzekutivit për Statusin e Përkohshëm të Mbrojtur (TPS), një program që u jep mbrojtje nga deportimi dhe leje pune personave nga vende të prekura nga lufta, fatkeqësi natyrore apo kriza humanitare.
Vendimi prek drejtpërdrejt rreth 350 mijë shtetas haitianë dhe rreth 6 mijë sirianë, ndërsa sipas organizatave të të drejtave të emigrantëve, ndikimi i tij mund të shtrihet tek mbi një milion persona nga disa vende të ndryshme që kanë përfituar deri tani nga ky status.
Administrata amerikane kishte ndërmarrë më herët hapa për revokimin e TPS për qytetarë nga rreth 15 shtete, duke rritur pasigurinë ligjore për komunitetet e prekura. Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme pritet të ketë pasoja të gjera në politikat e emigracionit dhe proceset gjyqësore që lidhen me to, të cilat vazhdojnë ende në disa raste të tjera.





