Grupi i trafikantëve të lëndës narkotike kokainë, i cili u godit nga SPAK, dyshohet se ka pasur një bazë përpunimi edhe në Pogradec gjatë periudhës maj-qershor. Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, pas një viti përgjimesh dhe vëzhgimesh, kanë zbuluar se Artjon Caushllari ka kryer lëvizje të dyshimta me një shtetas të Amerikës Latine. Ky i fundit dyshohet të ketë qenë i përfshirë në procesin e ekstraktimit të kokainës për llogari të grupeve të tjera.
Sipas burimeve, hetuesit kanë zbuluar se Artjon Caushllari dhe një person tjetër kanë udhëtuar më datat 1 dhe 2 maj në fshatin Bucimas, ku dyshohet se mund të ketë ndodhur përpunimi i kokainës. Po ashtu, më 5 maj, Caushllari ka marrë në makinë shtetasin e Amerikës Latine, dhe janë nisur drejt Pogradecit. Pas mbërritjes në qytet, ata kanë përdorur një mjet tjetër, që ka ngritur dyshime për lidhjet e tyre me aktivitetin kriminal të trafikut të drogës.
SPAK dyshon se Artjon Caushllari, në bashkëpunim me Aldi Zonjën dhe individë të tjerë, ka mundësuar funksionimin e grupit dhe transportimin e drogës në Shqipëri. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar të gjithë rrjetin dhe operacionet e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës.