26.5 C
Tiranë
Sunday, September 22, 2024
spot_img

Hiqen biletat e transportit publik, zëvendësohen me bileta elektronike, zbardhet vendimi i qeverisë

Qeveria ka zbardhur vendimin e plotë për heqjen e biletave të transportit publik të cilat do të zëvendësohen me bileta elektronike.

biletat në forma letër ose elektronike për transportin ndërqytetas do të gjenerohen përmes platformës elektronike të dedikuar. Ato mund të jenë me çmim të parashtypur dhe me mundësi gjenerimi.

Bileta do të ketë në përmbajtjen e saj disa elementë të veçantë për kohën e udhëtimit, çmimin për kilometër, numrin e serisë, datën dhe kohën e nisjes, dëshminë për bagazhin e udhëtarit dhe të dhëna për faturën fiskale.

Për transportin ndërqytetas, prerja e biletave do të bëhet përmes sistemit të E-Transport nga agjencia e transportit ose përmes pajisjeve të transaksionit elektronik të biletimit të cilat do të jenë të instaluara në çdo mjet të transportit rrugor. Po ashtu edhe pajisja për printimin e biletave duhet të jetë e integruar në po të njëjtin sistem elektronik.

VENDIMI

VENDIM PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.85, DATË 8.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PRODHIMIN, SHPËRNDARJEN DHE PAJISJEN E UDHËTARËVE ME BILETA TRANSPORTI RRUGOR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21/2, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në vendimin nr.85, datë 8.2.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
  2. Pika 3, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Biletat e transportit në shërbimin ndërqytetas rrugor të udhëtarëve mund të jenë në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, ku të dyja formatet gjenerohen dhe ekzekutohen nëpërmjet platformës elektronike të dedikuar. Biletat e transportit në shërbimin qytetas, rrethqytetas, ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve mund të jenë me çmim të parashtypur, në format letër ose elektronik, me vulë elektronike, me mundësi gjenerimi në të njëjtën formë që mundësohet edhe në transportin ndërqytetas. Biletat e transportit të udhëtarëve përmbajnë, në çdo rast:

  1. a) gjatësinë e udhëtimit në km;
    b) çmimin për km;
    c) numrin e serisë;
    ç) emrin e operatorit të transportit;
    d) datën dhe kohën e nisjes;
    dh) pjesën e biletës (dëshminë/etiketën) për bagazhin e udhëtarit;
    e) të dhëna për faturën fiskale;
    ë) vulën elektronike.”.
  2. Pika 4, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Modeli i biletave të transportit për shërbimin qytetas, rrethqytetas, ndërqytetas dhe në transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve, si për biletat në format letër me çmim të parashtypur, edhe për biletat elektronike me mundësi gjenerimi në të njëjtën formë që gjenerohet edhe në transportin ndërqytetas, është sipas standardit të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin.”.

  1. Në pikën 7, të kreut I, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Për shërbimin ndërqytetas të transportit rrugor të udhëtarëve, rregullat e posaçme, kriteret dhe procedurat për rimbursimin e shoqërive të transportit rrugor ndërqytetas për personat që përfitojnë lehtësi, sipas akteve ligjore dhe nënligjore të veçanta, caktohen me udhëzim të përbashkët të ministrave përgjegjës për financat, për transportin rrugor, për mbrojtjen sociale dhe për arsimin.”.

  1. Titulli i kreut II ndryshohet dhe bëhet “Biletat në format letër dhe me çmim të parashtypur”.
  2. Në pikën 2, të kreut II, në fjalinë e parë hiqet fjala “ndërqytetas”. Gjithashtu, pas fjalisë së parë të kësaj pike, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Gjithashtu, tërheqja e biletave për transportin rrugor, qytetas dhe rrethqytetas të udhëtarëve mund të realizohet edhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.”.

  1. Në kreun II, pas pikës 4 shtohen pikat 5, 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:

“5. Në transportin ndërqytetas, prerja e biletave të bëhet nëpërmjet përdorimit të sistemit e-Transport, nga agjencia e transportit ose nëpërmjet pajisjeve të transaksionit elektronik të biletimit, të instaluara në mjete të transportit rrugor, të integruara me sistemin e-Transport, të cilat plotësojnë kërkesat e ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar. Pajisja për printimin e biletave duhet të jetë e integruar me sistemin elektronik e-Transport dhe të garantojë ciklin e plotë fiskal të biletës.
6. Agjencia e transportit të udhëtarëve, sipas kontratës së lidhur me shoqërinë e licencuar për çdo linjë të transportit ndërqytetas, përdor sistemin elektronik e-Transport për ndjekjen e ciklit të plotë të prerjes së biletës, përzgjedhjen e linjës së transportit ndërqytetas, të vendeve të lira, të orareve, të fiskalizimit, si dhe të menaxhimit elektronik në kohë reale të biletave të prera.

  1. Platforma elektronike e-Transport, mbështetur nga pajisjet e transaksionit elektronik të biletimit në format letër, duhet të garantojë ciklin e plotë fiskal të gjenerimit të biletës, në integrim në kohë reale me platformën qendrore, ciklin e plotë të prerjes dhe gjenerimit të biletës, pagesën on-line nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit për pagesën elektronike, rezervimin e vendit të lirë në mjetin e udhëtimit.”.
  2. Në pikën 2, të kreut III, fjalët “… ministria përgjegjëse për transportin …” zëvendësohen me “… autoriteti kompetent i licencimit …”.
  3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2023.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT