Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO) ka njoftuar se pasditen e sotme dhe gjatë ditës së nesërme priten kushte të paqëndrueshme atmosferike në territorin e vendit, me reshje shiu dhe shtrëngata në disa qarqe.
Sipas parashikimit zyrtar, qarqet Vlorë dhe Gjirokastër do të preken nga reshje intensive, ndërsa në Shkodër dhe Korçë reshjet pritet të jenë mesatare deri lokalisht intensive. Në pjesën tjetër të vendit, reshjet do të jenë kryesisht mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata.
Në zonat veriore, lindore dhe juglindore, në lartësitë mbi 900 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të shndërrohen në dëborë.
IGJEO paralajmëron se intensiteti i reshjeve dhe shtrëngatat mund të sjellin problematika si rënie gurësh dhe inertesh, si dhe vërshime të përkohshme të ujit në zona urbane, veçanërisht në qarqet Shkodër, Kukës, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, në varësi të kapaciteteve të sistemeve të kanalizimeve.
Temperaturat e ajrit pritet të variojnë nga 9 deri në 14 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 5 deri në 12 gradë në zonat e ulëta dhe nga 2 deri në 8 gradë në zonat malore.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe në zonat malore herë pas here pritet të jetë e fortë. Gjatë ditës së nesërme, intensiteti i erës parashikohet të jetë më i ulët.






