Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar dje për herë të parë nga qelia e paraburgimit të “313”, pas arrestimit të tij me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ai e quajti prangosjen e tij një “rrëmbim të paligjshëm dhe kriminal” të realizuar me urdhrat e kryeministrit Edi Rama dhe “mafias ndërkombëtare” në vend. Në letrën e gjatë të postuar në profilin e tij në “Facebook”, ish-presidenti bëri “kurban” ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, duke thënë se me deklarimin e pasurisë dhe shpenzimet shëndetësore merrej gjithmonë ajo.
Meta sulmoi gjithashtu bashkëpunëtorët e drejtësisë që, sipas tij, e kanë fundosur në SPAK, si dhe prokurorët që i “qepën” dosjen. Ai është përpjekur të justifikojë të gjitha aferat për të cilat akuzohet, duke filluar nga “CEZ-DIA”, lobimet në SHBA, pazarin me fibrat optike, fshehjen e pasurisë dhe operacionet plastike.
Meta deklaroi: “Sot u mbush një javë nga rrëmbimi im i paligjshëm dhe kriminal nga tontonmakutët e regjimit të DumDumanit, që ka ndërtuar Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare në vendin tonë. Ky rrëmbim i planifikuar ndodhi tani në prag të fushatës zgjedhore të 2025-ës, për t’i garantuar Narkoregjimit përmes Narkodrejtësisë edhe 4 vite të tjera sundim në kurriz të shqiptarëve dhe në dëm të interesave kombëtare.
Ai pyeti se përse duhet të rrëmbehej ai, një figurë politike me mbrojtje të veçantë nga Garda e Republikës, dhe kritikoi ato që ai i quajti “pseudoanalistë” për shqetësimin e tyre ndaj kundërshtimit të tij. Meta theksoi se rrëmbimi i tij ishte një konsensus i gjerë i përgatitur nga faktorë malinj që e tmerronin prania e tij.
Duke u fokusuar në akuzat e SPAK, Meta tha se hetimet ndaj tij filluan që në dhjetor 2019, në bazë të kallëzimit të një personi të dënuar, duke pretenduar se kjo çështje kishte të bënte me përplasjen për mbrojtjen e Gjykatës Kushtetuese. Ai gjithashtu sulmoi Altin Dumanin, prokurorët dhe të tjerë, duke akuzuar se ata kishin manipuluar dëshmitarët dhe kishin bërë deklarata të rreme për të goditur atë.
Meta shprehu gjithashtu shqetësimin se SPAK kishte përdorur individë me probleme me drejtësinë për të realizuar hetime kundër tij, duke e akuzuar Dumanin për përpjekje të dështuara për të marrë deklarime të rreme nga Kastriot Ismailin, lidhur me CEZ-in. Ai theksoi se marrëveshja midis CEZ-it dhe DIA ishte bërë përpara se ai të bëhej Ministër i Ekonomisë dhe e refuzoi çdo lidhje me këtë çështje.
Për sa i përket akuzave për mosdeklarimin e shpenzimeve shëndetësore, Meta sqaroi se kishte qenë ish-gruaja e tij që merrej me këto çështje dhe që kishte dhënë garanci se çdo gjë ishte paguar dhe e deklaruar sipas ligjit. Ai gjithashtu shpjegoi se lidhur me lobimet, gjithçka ishte bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane, duke mohuar çdo veprim të paligjshëm nga ana e tij.
Në fund, Meta përfundoi se Fletërrufeja e SPAK-ut ishte një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe për të isoluar politikisht atë, me qëllim që të kontrollohej Partia e Lirisë. Ai u bëri thirrje anëtarëve të partisë që të reagojnë ndaj këtij skenari dhe të mbrojnë integritetin e forcës politike.