Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi influencuesja e njohur Stefanie Pieper u gjet e pajetë në rrethana makabre pranë kufirit mes Austri dhe Slloveni.
Sipas hetimeve paraprake, e reja dyshohet se është vrarë nga ish-partneri i saj pas një grindjeje më 23 nëntor të vitit të kaluar. Trupi i saj u zbulua i futur në një valixhe, e braktisur në një zonë pyjore pranë kufirit mes dy vendeve.
Autoritetet bëjnë me dije se ekziston dyshimi se Pieper mund të ketë qenë ende gjallë në momentin kur u vendos në valixhe, megjithatë koha e saktë e vdekjes mbetet ende e paqartë. Autopsia ka evidentuar shenja mbytjeje si dhe dëmtime në fytyrë, që dyshohet të jenë shkaktuar nga goditjet ose nga lëvizjet gjatë transportimit.
I dyshuari, një 31-vjeçar, u arrestua në Slloveni dhe më pas u ekstradua drejt Austri. Ai ka pranuar autorësinë e krimit dhe ka bashkëpunuar me hetuesit, duke i çuar në vendin ku kishte hedhur trupin.
Sipas mbrojtjes ligjore, i riu është shprehur i penduar dhe ka deklaruar se në momentin e ngjarjes ndodhej nën ndikimin e substancave narkotike.
Kërkimet për gjetjen e influencueses kishin nisur pasi ajo nuk ishte paraqitur në punë, ndërsa telefoni i saj u gjet i hedhur në një zonë me shkurre. Hetuesit përdorën dronë dhe qen nuhatës për të bërë të mundur lokalizimin e trupit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta, duke rikthyer në vëmendje rastet e dhunës në marrëdhënie dhe rrezikun që ato mund të paraqesin kur përshkallëzohen në konflikte ekstreme.






