13.5 C
Tiranë
Friday, September 20, 2024
spot_img

Joe Biden: “Shtetet e Bashkuara po punojnë për të siguruar vaksina për koronavirusin për vendet që kanë nevojë të jashtëzakonshme”

Shtetet e Bashkuara po punojnë për të siguruar vaksina për koronavirusin për vendet e tjera që kanë nevojë të jashtëzakonshme për to, u tha presidenti Joe Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën.

Pasi njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë injektuar 200 milionë doza vaksinash kundër COVID-19, presidenti u pyet se si mund të ndihmohen vendet e tjera.

Kemi filluar përpjekjet për ta bërë një gjë të tillë. Kemi dhënë një sasi. Tani do të shohim se çfarë do të bëjmë me disa nga vaksinat që nuk po i përdorim. Ne duam të garantojmë që t’i dërgojmë ato në mënyrë të sigurt dhe shpresojmë të jemi në gjendje të ndihmojmë venden në gjithë botën”, u përgjigj zoti Biden.

Presidenti tha se e kishte diskutuar këtë temë të mërkurën për rreth gjysmë ore në një telefonatë me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.

Kemi ndihmuar atje në një farë mase dhe do të përpiqemi të ndihmojmë edhe më shumë disa“, tha zoti Biden. “Por ka edhe vende të tjera, që unë kam besim se mund t’i ndihmojmë, përfshirë në Amerikën Qendrore“.

Megjithatë presidenti tha se “nuk kemi aq sa të mund të themi me siguri se do t’i dërgojmë në këtë moment”.

Administrata e zotit Biden ka investuar 4 miliardë dollarë në programin global të vaksinave COVAX për të ndihmuar me furnizimin e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe është zotuar t’u dërgojë miliona doza të AstraZenecas, të cilat nuk janë ende të autorizuara për t’u përdorur në Shtetet e Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës fqinje.

Komentet e zotit Biden për ndihmë shtesë për vendet e tjera u bënë pasi ai lexoi një deklaratë të përgatitur ku njoftoi se SHBA kishte realizuar një objektiv që nuk e ka bërë asnjë vend tjetër gjatë pandemisë së koronavirusit dhe as në ndonjë fushatë të mëparshme vaksinimi për viruse: dhënien e 200 milionë dozave brenda 100 ditëve.

Është një arritje e jashtëzakonshme për vendin“, tha presidenti, duke shtuar se kjo ndodhi në ditën e tij të 92-të në detyrë.

Presidenti gjithashtu bëri thirrje që çdo punëdhënës në SHBA t’u japë punonjësve leje me pagë që ata të mund të vaksinohen.

Asnjë amerikan që punon nuk duhet të humbasë as edhe një dollar nga pagesa e tyre sepse përmbushin detyrën e tyre patriotike për t’u vaksinuar“, tha ai.

Shumica e kompanive tani mund të “marrin një kredi në taksa kur sigurojnë leje të paguar për secilin punonjës që merr vaksinën dhe për kohën e nevojshme për t’u rimëkëmbur nga vaksina”, njoftoi të mërkurën Departamenti amerikan i Thesarit.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT