Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar pas shqetësimeve të qytetarëve lidhur me zhvendosjen e drejtori vendore të Vlorës drejt kryeqytetit, duke theksuar se ky proces ka për qëllim përmirësimin dhe unifikimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Sipas njoftimit, të gjitha aplikimet dhe shërbimet kadastrale do të kryhen përmes portalit e-Albania, ndërsa dokumentacioni do të dërgohet edhe përmes Postës Shqiptare për t’u administruar në mënyrë të standardizuar, pavarësisht vendndodhjes fizike të drejtori.
Agjencia thekson se ky riorganizim, që ka nisur që nga viti 2021 me drejtori si Durrësi dhe Kruja, synon përshpejtimin e trajtimit të aplikimeve dhe përmirësimin e efikasitetit të proceseve, ndërkohë që digjitalizimi lejon punonjësit të kryejnë detyrat pa qenë fizikisht prezent në territorin e pronës apo aplikuesit.
“Kemi përkushtim për të rritur cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të përshpejtuar legalizimin e ndërtimeve informale dhe për të përfunduar Regjistrimin Fillestar në të gjithë qarkun e Vlorës,” nënvizon Kadastra, duke garantuar shërbime më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar.






