Tiranë – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë për katër punonjës policie, të cilët dyshohen për shkelje në proceset e prokurimeve publike. Këto hetime janë pjesë e një procedimi penal të nisur në vitin 2024.
Masat e sigurisë të vendosura për zyrtarët e përfshirë janë si më poshtë:
- Haxhi Balla, ish-Shef i Sektorit Ekonomik në DVP Tiranë, aktualisht i vetëpunësuar – ndaj tij është vendosur masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, pasi dyshohet për shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
- Eni Tila (Xhaferi), Shefe e Sektorit të Kontabilitetit në DVP Tiranë – është vendosur masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tendera.
- Jaho Caushaj, Specialist i Sektorit Ekonomik në DVP Tiranë – ndaj tij është vendosur masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
- Islam Shehi, punonjës në Sektorin Ekonomik në DVP Tiranë – ndaj tij është vendosur masa “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për dyshime mbi shkeljen e barazisë në tendera.
Hetimet mbi këtë çështje po vijojnë, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.