Prokuroria e Tiranës ka kryer kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet, pas hetimeve për dyshime për evazion fiskal.
Nga aksioni i zhvilluar, deri më tani janë sekuestruar 13 milionë lekë dhe mallra të marra në dorëzim pa fatura tatimore. Sipas Prokurorisë, dokumentacioni i sekuestruar dhe paratë e kapura tregojnë shkelje të mundshme të ligjit dhe rrjedhjen e parave nga aktiviteti i paligjshëm.
“Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues, prova që tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm,” njoftoi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.






