17.5 C
Tiranë
Sunday, March 15, 2026
spot_img

Kriza e emigrantëve/ 7 vende në KS të OKB-së, përfshi Shqipërinë dënojnë Bjellorusinë

Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dënuan Bjellorusinë të enjten për atë që ata e quajtën “instrumentalizim cinik i emigrantëve”, ndërsa tensionet po vlojnë përgjatë kufirit të Polonisë me Bjellorusinë.

“Ne (Shtetet e Bashkuara, Britania, Estonia, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria) e dënojmë instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jetët dhe mirëqenia e të cilëve janë vënë në rrezik për qëllime politike nga Bjellorusia, me synimin për të destabilizuar vendet fqinje dhe kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e saj në rritje të të drejtave të njeriut”, tha ambasadori i Estonisë, Sven Jürgenson, në emër të shtatë vendeve perëndimore.

Vala e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afganistani u rrit ndjeshëm, pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Minskut, i cili në muajin maj detyroi uljen e një avioni komercial që fluturonte mbi territorin bjellorus. Autoritetet arrestuan një gazetar të opozitës bjelloruse dhe të dashurën e tij, me të zbritur nga avioni.

Tani mijëra emigrantë që kanë udhëtuar legalisht në Bjellorusi, po përballen me një fat të pasigurt dhe temperatura të ulëta përgjatë kufirit me Poloninë.
Të martën, Polonia mbylli një vendkalim kufitar me Bjellorusinë pasi emigrantët u përpoqën të kalonin në territorin polak.

Vendet evropiane dhe baltike akuzojnë presidentin bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për joshjen e emigrantëve në vendin e tij dhe më pas lehtësimin e udhëtimit të tyre në kufi, për t’i dërguar në Poloni, Lituani dhe Letoni. Emigrantët shtrojnë kërkesa për strehim kur arrijnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Kjo taktikë është e papranueshme dhe kërkon një reagim dhe bashkëpunim të fortë ndërkombëtar për ta mbajtur Bjellorusinë përgjegjëse”, tha ambasadori Jürgenson. “Ajo dëshmon se regjimi i Lukashenkos është shndërruar në një kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale”.

“Sigurisht, tani ka një lojë të zhvendosjes së fajit nga Bashkimi Evropian”, u tha gazetarëve zëvendës ambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy. “Ata duan ta paraqesin Bjellorusinë dhe ndonjëherë edhe Rusinë, si autorë të kësaj krize”.

Moska është aleati më i ngushtë i Minskut.
Zv/ambasadori Polyanskiy tha se Minsku nuk ka as arsye ekonomike dhe as politike për të parandaluar emigrantët të vazhdojnë rrugëtimin e tyre.

“Ata nuk kanë arsye për t’i kthyer (emigrantët) në vendet nga kanë ardhur”, tha ai. “Kjo do të ishte një shkelje e plotë e çdo konvente ndërkombëtare”.

Nga frika se mund të shndërrohet në një front të ri në këtë krizë, Ukraina, e cila nuk është anëtare e BE-së, do të dërgojë 8,500 ushtarë dhe policë si dhe 15 helikopterë, për të ruajtur kufirin e saj me Bjellorusinë, tha të enjten agjencia e lajmeve Reuters.

Thirrje për uljen e tensioneve
Kombet e Bashkuara bënë thirrje për uljen e tensioneve në kufirin Bjellorusi-Poloni.
“Jam e tmerruar që një numër i madh emigrantësh dhe refugjatësh vazhdojnë të mbeten në një situatë të dëshpëruar në temperatura të ulëta në kufirin Bjellorusi-Poloni”, tha të mërkurën Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet. “U bëj thirrje shteteve të përfshira të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur këtë situatë të patolerueshme në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe refugjatëve”, tha ajo.

Agjencitë e OKB-së për refugjatët dhe migracionin kanë thënë vazhdimisht se përdorimi i emigrantëve dhe refugjatëve si mjete politike është për të ardhur keq dhe duhet të marrë fund. Ndërkohë, Bashkimi Evropian, po shqyrton vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Bjellorusisë./VOA/

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Tiranë, arrestohet 26-vjeçari për kontrabandë, policia sekuestroi 524 gramë flori dhe mallra të ndryshme

0
Tiranë – Policia e Tiranës goditi një tjetër rast të kontrabandës së mallrave, duke arrestuar në flagrancë një 26-vjeçar në afërsi të Kamzës. Sipas...

FBI paralajmëron për kërcënime nga Irani në SHBA: “Sulme me dronë dhe operacione kibernetike...

0
Shtetet e Bashkuara – Në Shtetet e Bashkuara po rritet shqetësimi për mundësinë e hakmarrjes nga Irani, ndërsa tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme...

Berisha nga Elbasani: “Rama dhe Balluku nuk kanë më të ardhme”

0
Elbasan – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, urimet për Ditën e Verës i shfrytëzoi për të kritikuar qeverinë, duke theksuar se kryeministri Edi...

Bido denoncon: “Familjarët e Flamur Nokës morën banesa të të pastrehëve në Sarandë”

0
Sarandë – Deputeti socialist Ardit Bido ka akuzuar ish-drejtorin e Bordit të Entit Kombëtar të Banesave, Flamur Noka, për përvetësim të apartamenteve të destinuara...

Desada Metaj kritikon strategjinë e opozitës:“Në vend që të bëjë kilometrin e fundit drejt...

0
TIRANË – Gazetarja e njohur Desada Metaj ka dhënë një koment të fortë lidhur me protestën e opozitës dhe zhvillimet në Kuvend rreth votimit...