5.5 C
Tiranë
Wednesday, November 27, 2024
spot_img

Kryeministri Edi Rama paralajmëron për mashtrimet me mesazhe false në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar qytetarët për një lojë mashtruese që po dëmton qytetarët shqiptarë, ku mesazhe të rreme dërgohen duke imituar numrat e telefonit të personave publikë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka bërë të ditur se Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar përpara drejtësisë disa nga këta mashtrues, të cilët kanë arritur të marrin para nga të dëmtuarit.

Rama bëri apel qytetarëve që marrin mesazhe në emër të personave publikë, që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre lojërave kriminale. Ai theksoi rëndësinë e verifikimit të vërtetësisë së dërguesit për të shmangur kurthet e këtyre mashtrimeve.

“Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit për të dërguar mesazhe të rreme, ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar përpara drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve. Ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emër të personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, për të shmangur kurthin e kësaj loje kriminale,” shkroi Rama në rrjetin social “X”.

Florian Gjergji, një person i kërkuar nga policia për skemat e njëpasnjëshme të mashtrimit, ka rënë në sy të autoriteteve. Ai ka përdorur identitete të rreme dhe aplikacione si Telegram dhe Viber për të kopjuar numrat dhe emrat e zyrtarëve të lartë, duke mashtruar zyrtarë dhe biznesmenë. Policia ka arrestuar disa nga bashkëpunëtorët e tij, ndërsa Gjergji dyshohet se është jashtë vendit dhe është ende i pakapshëm.

Një nga rastet e fundit përfshin një tentativë për të marrë 35 mijë euro nga një biznesmen në fushën imobiliare. Biznesmeni G.Ç. mori një mesazh që pretendonte të ishte nga kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe lajmëroi menjëherë Policinë e Tiranës, e cila organizoi kapjen në flagrancë të personave që u paraqitën për të marrë paratë. Në operacionin “Replay” u arrestuan Afrim Radici, Gezim Çelanji dhe Qazim Vata, ndërsa Florian Gjergji mbetet në kërkim.

Një tjetër rast përfshin një mashtrim ndaj biznesmenit Flamur Rushi, i cili humbi rreth 100 mijë euro pasi mori një mesazh të rremë nga një person që pretendonte të ishte ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Rushi dorëzoi paratë në një taksi pranë një spitali privat në Tiranë, por më vonë kuptoi se ishte mashtruar dhe lajmëroi policinë. Në këtë rast u ndalua shoferi i taksisë, Kristian Përndoj, por më pas u lirua.

Florian Gjergji ka përdorur këtë skemë mashtrimi edhe në të paktën 8 raste të tjera, duke përdorur emrat e zyrtarëve të lartë si Edi Rama, Erion Veliaj, Ermal Dredha, Rakip Suli dhe disa ministra të tjerë. Policia dhe autoritetet përkatëse vazhdojnë hetimet për të identifikuar dhe ndaluar të gjithë të përfshirët në këtë rrjet të organizuar të mashtrimit.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT