-1.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

“Kur përmendet hajdut dymetrosh, ju vetë”, Debat i Ashpër midis Bardhit Spiropalit për Komisionin e Shëndetësisë

Teksa opozita akuzoi Ilir Beqajn si “hajduti dy metra” në lidhje me ngërçin ku ka hyrë Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, kryeparlamentarja Elisa Spiropali u kërkoi kolegëve të shmangnin fyerjet. Ky moment u bë shkak për një debat dhe replika të ashpra midis kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi, dhe Spiropalit. Bardhi kërkoi shtyrjen e afatit të Komisionit me 3 javë të tjera, duke përsëritur akuzat ndaj Beqajt për kërcënimin e anëtarëve të Komisionit dhe deputetëve të opozitës.

Gazment Bardhi: “S’e kuptova, zonja kryetare, pse ju vajti mendja te Rama, kur Noka foli për zotin Beqaj si hajduti 2 metra dhe jo për kryeministrin Rama...”

Elisa Spiropali: “Nuk mund të përdorni foltoren për të nëpërkëmbur dinjitetin e gjithkujt, jo vetëm të zotit Beqaj. Nuk ka rëndësi nëse është i burgosur, i paraburgosur apo çfarëdoqoftë, nuk mund të fyhet vend e pavend, ka rregullore. Nuk ka të bëjë me zotin Rama apo me zotin Beqaj, por për këdo.

Gazment Bardhi: “Ju s’keni asnjë të drejtë të më ndërhyni në fjalën time. S’e kuptoj, kur përmendet hajdut dymetrosh, ju vetë mendja te kryeministri. Ai e kishte për Ilir Beqajn (i referohet deklaratës së Flamur Nokës)… Kurse për etikën, ti zonjë, duhet të kesh parasysh se një person i paraburgosur lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit dhe guxonte të futej në sallën e mbledhjeve të Komisionit të posaçëm, i pashqetësuar nga Garda dhe Policia, që ndodheshin për të ruajtur integritetin e deputetëve, dhe të kërcënonte deputetët. Ju duhet të mbani qëndrim për këtë dhe jo për etikën, e të mbroni një person që është kapur dy herë duke vjedhur koncesionet dhe paratë e taksapaguesve evropianë. Ju duhet t’ju shqetësojë se si guxon ky kriminel të futet në ambientet e Kuvendit, ku ata janë në ambiente pune në sallë dhe t’i kërcënojë ata.

Kërkesa për Hetimin e Rasteve dhe Zgjatjen e Afatit

Bardhi vijoi me pretendimin se komisioni hetimor nuk ka përfunduar planin e tij të hetimit dhe se i mohohet opozitës e drejta për të hetuar. Ai nëvizoi se një nga shqetësimet e progres-raportit ishte ngushtimi i hapësirës së opozitës për komisionet parlamentare. “Sot raporti duhet të vinte në seancë plenare, por ju nuk e lejuat”, tha Bardhi.

Elisa Spiropali: “Kërkesa që ka ardhur i është paraqitur Konferencës së Kryetarëve dje. Ndihem në faj që e kam çuar atë kërkesë pa vendim të ndërmjetëm, e kam çuar te Konferenca, po për shkak të debatit dhe rëndësisë e kam çuar. Keni marrë pjesë, është diskutuar dhe është marrë vendim. Komisioni është shtyrë dy herë dhe duhet të bëjë detyrën dhe jo të shpërdorojë detyrën. Në bazë të ligjit duhet të kishte vendim të ndërmjetëm për t’ia paraqitur Konferencës, megjithatë u paraqit dhe është caktuar të mbyllej hetimi sipas kohës së vendosur. Për atë se kush është kriminel e cakton gjykata dhe prokuroria. Ai që vjen në Komision për të dëshmuar duhet lejuar të dëshmojë. Sa për pretendimin e kërcënimit, Garda ka respektuar Rregulloren, do shihen pamjet e kamerave dhe s’mund të jap koment për këtë dhe do vijë kërkesa me shkrim.”

Gazment Bardhi: “Lejojeni dispozitën dhe rregullin, s’ka asnjë dispozitë e rregull për vendim të ndërmjetëm. Afati i Komisionit është kompetencë ekskluzive e propozuesit dhe më tej Konferenca e Kryetarëve që përcakton kohëzgjatjen e Komisionit. S’ka rëndësi kush sjell çështjen, por nëse Komisioni e ka përfunduar punën e tij apo jo. Komisioni s’e ka përfunduar ende planin e tij të punës dhe, për sa kohë s’ka përfunduar, nuk mund të ndërpritet”

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT