14.5 C
Tiranë
Friday, September 20, 2024
spot_img

Kuvendin Kombëtar i PD-së, Basha: “Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën në Kuvendin Kombëtar deklaroi se 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin.

Basha tha se nga kjo betejë ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.

Sipas tij, kjo ndodhi, jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.

Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë. Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama”, tha Basha.

Lideri demokrat, Lulzim Basha tha në Kuvendin Kombëtar të PD-së se partia e tij hyri në betejën e 25 prillit me programin më të mirë të hartuar në këto 30 vite.

Gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve të PD-së dhe simpatizantëve, Basha tha se PD hyri në këtë betejë pa asnjë pushtet, por vetëm nga vullneti i lirë i shqiptarëve, përballë një qeverie që e cilësoi fatkeqësi kombëtare.

“Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit. Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.

Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për çdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çlironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri. Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.”, tha Basha.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT