I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën se ka rënë dakord me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, për hapat e parë drejt çtensionimit të situatës në veri, pa dhënë më shumë hollësi rreth tyre.
“Zhvillova diskutime të ngjeshura sot në Bratislavë me zotin Bislimi rreth çtensionimit të situatës në veri të Kosovës sipas kërkesave evropiane të shtruara me tre qershor si dhe për rrugën e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, shkroi ai në Twitter.
Zoti Bislimi tha në një njoftim në rrjete sociale se ka biseduar me zotin Lajçak rreth hapave të ardhshëm për zbatimin “e plotë dhe dhe të drejtë” të marrëveshjes dhe planit të zbatimit të saj.
“U pajtuam për hapat e nevojshëm për të siguruar çtensionimin efektiv dhe sipas ligjit, për përqendrimin në normalizim dhe zbatim të sundimit të ligjit”, shkroi ai në Twitter.
Zoti Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë e Beograd javën që shkoi paralajmëroi se përpjekjet e diplomacisë perëndimore për çtensiomin e situatës dhe kthimin e palëve në dialog do të vazhdojnë.
Perëndimi kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Ndonëse udhëheqësit e të dyja vendeve janë zotuar për çtensionimin e situatës, ende nuk ka ndonjë hap konkret nga asnjëra palë për zbatimin e kërkesave perëndimore.
Qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore dhe është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veriun e saj ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga partitë serbe.
Partitë opozitare në Kosovë thanë të hënën se do të bojkotojnë të gjitha votimet në parlament, në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së qeverisë mbi krizën në veri të vendit.