Në 35‑vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ish-deputetja Rajmonda Bulku solli një nga fjalimet më emocionuese të mbrëmjes, duke rikthyer kujtime të gjalla nga ditët e para të themelimit të forcës së parë opozitare në Shqipëri. Në një sallë të mbushur me demokratë, Bulku iu drejtua veçanërisht ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar atë figurën qendrore të asaj kohe historike.
Ajo përshkroi me tone të forta realitetin e 35 viteve më parë, duke e përkufizuar si një periudhë të errët dhe të rrezikshme:
“Nuk ishte sot. Ishte diktatura komuniste, ishte sigurimi i brendshëm. Çdo moment mund të ndodhte gjithçka me trupin tënd, një asgjësim fizik.”
Bulku tha se në atë kohë terrori, një grup intelektualësh zgjodhën të sakrifikonin gjithçka për të hapur rrugën e pluralizmit. Duke cituar Sali Berishën, ajo nënvizoi se:
“Liria ishte një zgjedhje.”
Sipas saj, kjo zgjedhje u përqafua me guxim nga qytetarët e Tiranës, të rinjtë, studentët, intelektualët dhe shumë të tjerë që shpresuan te ndryshimi.
Ish-deputetja ndau edhe një kujtim personal, duke thënë se Berishën e pa për herë të parë si kryetar të PD-së në “shtëpinë e Pashkos”, ndërsa e cilësoi veten “krenare” që e ka mbështetur gjithmonë. Ajo e lidhi mbështetjen e hershme me lëvizjet e viteve të fundit në PD, si Foltoret dhe Primaret, të cilat i quajti “një mrekulli” që bashkuan demokratët.
Në përfundim të fjalës së saj, Bulku dha një mesazh të qartë mbështetjeje për ish-liderin demokrat:
“Zoti Berisha, ju uroj një jetë të gjatë dhe një udhëheqje të fortë të Partisë Demokratike deri në fitoren e saj përfundimtare… Vazhdoni dhe ne do t’ju besojmë dhe do t’ju mbështesim. Fitore.”
Me këtë fjalim, Rajmonda Bulku i dha ceremonisë jo vetëm emocione, por edhe një rikujtim të fuqishëm të rrugës së vështirë që solli lindjen e pluralizmit dhe të Partisë Demokratike në Shqipëri.






