16.5 C
Tiranë
Friday, November 22, 2024
spot_img

Luigi Soreca, inkurajon klasën politike të bashkëpunojë në mbështetje të aspiratës së shqiptarëve për anëtarësim në BE

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, inkurajon klasën politike të bashkëpunojë në mbështetje të aspiratës së shqiptarëve për anëtarësim në BE.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, zoti Soreca shprehet se mezi pret të bashkëpunojë me ekipet e reja, si atë qeverisës të Kryeministrit Rama, ashtu edhe atë të opozitës, të sapozgjedhura të Partisë Demokratike.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, zoti Soreca shprehet se mezi pret të bashkëpunojë me ekipet e reja, si atë qeverisës të Kryeministrit Rama, ashtu edhe atë të opozitës, të sapozgjedhura të Partisë Demokratike.

Duke folur për Reformën në Drejtësi, ambasadori Soreca tha se “Investimi i BE-së në sektor flet më shumë se fjalët në këtë drejtim: 50 milionë euro janë investuar deri tani dhe 9 milionë euro të tjera pritet të vijnë”.

LUIGI SORECA

Zoti ambasador, Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Basha, kanë shpallur ekipet e reja pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe debatit pas tyre. Si i vlerësoni zhvillimet politike para nisjes së sezonit të ri parlamentar? Cilat janë sipas jush sfidat prioritare të maxhorancës dhe opozitës?

Sezoni i ri politik shënon rikthimin në jetën parlamentare të opozitës dhe mendoj se ky është një ogur i mirë për demokracinë shqiptare. Parlamenti do të përbëhet kryesisht nga dy blloqe, të cilat do të duhet të punojnë së bashku për vendimet kryesore për të ardhmen e vendit, veçanërisht në lidhje me integrimin në BE.

Pres që Parlamenti i ri, në tërësi, të vazhdojë të shtyjë përpara zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Pres që Parlamenti i ri, në tërësi, të jetë i gatshëm për të marrë vendime të rëndësishme dhe, nganjëherë të vështira, mbi reformat vendimtare për vendin, si Reforma Zgjedhore, përfshirë financimin e partive, si dhe Reforma në Drejtësi, në kuadrin e përparësive të përgjithshme dhe kombëtare të së ardhmes së Shqipërisë në BE. Ka shumë punë përpara, si dhe çështje komplekse, të tilla si rimëkëmbja ekonomike e vendit pas tërmetit dhe pandemisë, apo lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtja e mjedisit, të cilat mund të trajtohen vetëm nëpërmjet angazhimit ndërpartiak.

Ndaj, pres me padurim sezonin e ri politik dhe punën me kabinetin e ri Rama, si dhe me ekipin e ri të kryetarit të PD-së, Basha, dhe partitë e tjera që do të risjellin në Parlament zërin e nevojshëm të opozitës. Unë kam besim se ekipet e reja, Parlamenti në tërësi dhe aktorët jopolitikë, janë të gjithë gati për të ecur përpara, të vetëdijshëm se vetëm duke vepruar kështu mund të sigurojnë arritjen e përparësisë kombëtare dhe ndërpartiake të integrimit të Shqipërisë në BE, duke filluar me Konferencën e parë Ndërqeveritare (IGC) mes BE-së dhe Shqipërisë, që do të shënojë zyrtarisht hapjen e bisedimeve të pranimit.

Në forumin e Bled-it, Kryeministri Rama e kaloi sërish me batuta çështjen e bisedimeve për integrimin. Ka një ndjesi në Shqipëri që procesi i integrimit ka filluar të bëhet i vështirë për t’u parashikuar. Ka realisht shpresë se bisedimet do të fillojnë së shpejti?

E kam thënë edhe në raste të tjera, dhe do të doja ta përsërisja edhe një herë: ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj pranimit të Shqipërisë në BE, si në Tiranë, ashtu edhe në Bruksel, dhe jam optimist në terma pragmatikë në lidhje me etapën e ardhshme të Shqipërisë në këtë proces, Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe fillimin konkret të bisedimeve të pranimit.

Ndërsa qëndrimi i institucioneve të BE-së mbetet i pandryshuar – që kushtet janë përmbushur për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt që të jetë e mundur – diskutimet në Bled dhe deklaratat e udhëheqësve të BEsë të pranishëm në Slloveni kanë konfirmuar edhe një herë se integrimi i rajonit në BE është me rëndësi kyçe për vetë BE-në.

Në Bruksel dhe në Tiranë e kuptojnë se nuk kemi kohë për të humbur dhe se duhen marrë urgjentisht vendime për të ecur përpara. Ndërsa Shqipëria vazhdon të japë rezultate në fushat kryesore për integrimin në BE, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimi i ndërtimit të gjyqësorit të saj, shtetet anëtare duhet të shohin angazhimin e vazhdueshëm dhe të vendosin tani bazuar në merita. Publiku shqiptar ka pritshmëri të qarta në këtë drejtim dhe sistemi institucional dhe politik shqiptar në tërësi mund t’i përmbushë këto pritshmëri vetëm duke punuar fort për të realizuar reformat. Rruga drejt pranimit në BE mund të duket ndonjëherë shumë e gjatë dhe shpesh herë sfiduese, por mbetet një rrugë e drejtë që përputhet me shpërblimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Për të qenë të suksesshëm në procesin e integrimit në BE, është thelbësore që vendi t’i japë vetes mjedisin më të përshtatshëm institucional për të siguruar koordinimin më të mirë mes aktorëve të qeverisë qendrore, duke filluar me ministritë, si dhe mes tyre dhe qeverisjes vendore. Për ta përdorur sa më mirë ndihmën e konsiderueshme financiare që po ofron BE-ja, si dhe për t’u siguruar që ligjvënia të jetë vërtet “e vulosur nga BE-ja”, në përputhje me standardet dhe rregullat përkatëse të BE-së, mbështetur nga mekanizma efektivë të konsultimit me aktorët e shoqërisë civile.

Ka një nismë – Ballkani i Hapur – mes tri vendeve, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Krerët e këtyre vendeve insistojnë, edhe pse vendet e tjera të Ballkanit, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, nuk i bashkohen kësaj nisme. A është ky një dualizim i Procesit të Berlinit? Sa e dëmton apo ndihmon integrimin një grupim i tillë?

BE-ja e ka mirëpritur angazhimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin rajonal, një tipar thelbësor i perspektivës së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim dhe Asociimit me BE-në. Ne e kuptojmë plotësisht dëshirën e vendeve për të ecur përpara dhe për t’u angazhuar me projekte të veçanta, dhe kjo është e mirëpritur. Në të njëjtën kohë, një proces gjithëpërfshirës, që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet kyç për BE-në. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat e BE-së, një angazhim politik i ndërmarrë nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar. BE-ja, nga ana tjetër, po krijon mundësi investimesh të pashembullta deri në 30 miliardë euro në rajon përmes Planit të saj Ekonomik dhe të Investimit dhe i takon Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit t’i përdorin sa më mirë këto mundësi në dobi të qytetarëve të rajonit.

Shqipëria mbylli një proces zgjedhor dhe Parlamenti pritet të mblidhet në 10 shtator. Edhe pse raporti i OSBE/ ODIHR-it flet për probleme thelbësore në zgjedhje, sërish palët duket se do të jenë në Kuvend. Çfarë prisni ju nga Parlamenti i ri?

Unë mirëpres deklaratat e partive opozitare për të qenë pjesë e Parlamentit të ri, pasi ky është një element themelor i demokracisë përfaqësuese. Zënia e vendit në tryezë është mënyra më efektive për të ndikuar në vendimmarrje. Ashtu si dhe të kërkuarit llogari qeverisë dhe mbajtja e saj nën kontroll. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, të 25 prillit 2021, konfirmoi se zgjedhjet në përgjithësi ishin të mirorganizuara. Në të njëjtën kohë, rekomandimet për ligjvënësit për të përmirësuar më tej ligjin zgjedhor ofrojnë një platformë udhëzuese për punë të rëndësishme në të ardhmen. Siç u tha, mendoj se është e rëndësishme përfshirja në një raund të dytë në Parlament për Reformën Zgjedhore. Unë, gjithashtu, i konsideroj rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it që agjencitë e zbatimit të ligjit të hetojnë dhe të ndjekin penalisht rastet e blerjes së votës, presionin mbi votuesit dhe shkeljet e sigurisë së të dhënave personale, si shumë të rëndësishme. Ato duhet të merren seriozisht dhe ne inkurajojmë plotësisht agjencitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet e tjera kompetente që t’i hetojnë këto raste. Sesioni i ri legjislativ ofron një mundësi, si për qeverinë, ashtu dhe për opozitën, që të punojnë së bashku edhe me gjithë aktorët e tjerë përkatës, për të trajtuar rekomandimet e ODIHR-it dhe çdo çështje të pazgjidhur. Unë pres që kjo të ndodhë, duke marrë parasysh kontributin e rëndësishëm që aktorët e shoqërisë civile mund të sjellin në tryezë.

Është folur vazhdimisht për nevojën e një bashkëpunimi mes dy forcave politike. Kryeministri ka ofruar bashkëpunim pa kufij. A do të ishte një qeveri e gjerë, e mbështetur nga BE-ja?

Për BE-në në Shqipëri, dhe për mua personalisht, si Ambasador i BE-së në Shqipëri, ekziston një fakt qendror që përbën burimin kryesor të frymëzimit në punën tonë të përditshme këtu: shumica dërrmuese e popullsisë shqiptare, deri në pothuaj 90%, pavarësisht preferencave të tyre politike, flasin njëzëri për dëshirën e tyre për t’u bashkuar me Bashkimin Europian. Po kështu, të gjitha partitë që janë mandatuar nga qytetarët shqiptarë për të marrë vendet në Parlamentin e ri kanë deklaruar se integrimi në BE është një nga prioritetet e tyre politike. Tani këto parti ndajnë të njëjtën përgjegjësi: ta bëjnë realitet këtë shtysë kaq të madhe popullore për pranimin në BE.

Prandaj, do ta inkurajoja fuqishëm klasën politike të Shqipërisë për të gjetur në procesin e integrimit në BE platformën e natyrshme për një bashkëpunim dhe dialog ndërpartiak për “flamurin blu”. Historia e zgjerimit të BE-së dëshmon për fuqinë transformuese të procesit të integrimit në BE, që kërkon vendosmëri afatgjatë dhe punë të vazhdueshme në ekip të politikanëve, anëtarëve të shoqërisë civile, komunitetit të me dias dhe qytetarëve, duke bashkuar forcat për të çuar përpara të ardhmen e tyre. Integrimi në BE, në këtë kuptim, është jopersonal. Në tërësinë e tij, suksesi i integrimit në BE nuk ka të bëjë me një Kryeministër apo me një politikan të vetëm. Ai ka të bëjë me shoqërinë në tërësi. Për shkak të të qenit në pushtet, partitë qeverisëse mbajnë pjesën kryesore të përgjegjësisë. Sidoqoftë, partitë opozitare në çdo vend kanë po ashtu një përgjegjësi të rëndësishme. BE-ja mbështet fuqimisht dhe punon në mbështetje të bashkëpunimit mes shumicës në pushtet dhe opozitës, si formula e vetme për suksesin e vendit në procesin e integrimit në BE, projekti më i madh kombëtar i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit.

Nga tërmeti te pandemia, dhe kohët e fundit te zjarret në pyje, ka pasur një ndihmë të rëndësishme financiare të BEsë për Shqipërinë. Si e vlerësoni zbatimin dhe ndikimin e saj deri tani?

Këta 24 muajt e fundit kanë treguar edhe një herë sesi Ekipi. Europa – BE-ja dhe shtetet anëtare të saj – e konsiderojnë tashmë Shqipërinë si pjesë të familjes së tyre. Ne kemi qenë dëshmitarë të një solidariteti europian mbresëlënës në veprim ndaj popullit shqiptar për të kapërcyer ndikimin e tërmetit tragjik të vitit 2019, për të përballuar krizën COVID-19, si dhe më herët, gjatë përmbytjeve të viteve të kaluara, si dhe zjarreve të kohëve të fundit. Ekipi Europa ka demonstruar se ne jemi partneri dhe donatori i parë dhe më i besueshëm i Shqipërisë. Mbështetja jonë vjen si donacion: një dhuratë nga popujt e BEsë për popullin shqiptar. Pa kushtëzime, siç ndodh brenda një familjeje të vërtetë. Gjatë krizës COVID-19, shtetet anëtare të BE-së dhuruan pajisje mjekësore dhe transportuan vaksina në Shqipëri përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. BE-ja caktoi menjëherë 4.2 milionë euro për të blerë pajisje dhe furnizime mjekësore urgjente për spitalet shqiptare dhe mbi 11 milionë euro ndihmë për blerjen e vaksinave. Për më tepër, janë caktuar më shumë se 50 milionë euro për të mbështetur paketat financiare të qeverisë për të luftuar pasojat sociale dhe ekonomike të COVID-19. Ne gjithashtu riorientuam pjesë të mbështetjes sonë të kanalizuar përmes organizatave të shoqërisë civile drejt grupeve më të cenueshme.

Kur ra tërmeti tragjik i nëntorit 2019, Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të tij mobilizuan operacione masive të ndihmës përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Konferenca e Donatorëve, e udhëhequr nga BE-ja në shkurt 2020, ishte një sukses, ku donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare premtuan 1.15 miliardë euro për të ndihmuar rimëkëmbjen e Shqipërisë. Vetëm BE-ja dhuroi 115 milionë euro, të cilat ndërkohë janë bërë programet tona “BE për shkollat” dhe “BE për Kulturën”. Programi “BE për Shkollat” aktualisht po rindërton apo riparon 62 shkolla në 11 bashki të prekura nga tërmeti. Programi “BE për Kulturën” tashmë ka filluar punimet e rinovimit në mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar, si dhe në kishat e Shën Mërisë në Rubik dhe Shën Ndojit në Rodon. Potenciali turistik i 25 siteve të prekura nga tërmeti do të rritet dhe zhvillimi ekonomik vendor do të nxitet përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse, së bashku me komunitetin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Përmes mbështetjes së BE-së po bëhet shumë për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve, qytetarëve të ardhshëm të BE-së. Sidoqoftë, më lejoni të theksoj se BE-ja në vetvete nuk mund të sjellë ndryshime pozitive të qëndrueshme në Shqipëri pa angazhimin e plotë dhe bashkëpunimin proaktiv të të gjitha institucioneve përkatëse shqiptare, që shpresoj se do të vazhdojë dhe do të shtohet nën mandatin e Parlamentit dhe qeverisë së re.

Një çështje tjetër është ajo e Reformës në Drejtësi. Sot, pas kaq vitesh, mendoni se kjo reformë është e suksesshme, dhe nëse po, do e rekomandojë BE në vende të tjera një reformë të tillë?

u falënderoj për pyetjen mbi një reformë kyçe për të ardhmen e Shqipërisë në BE, siç është Reforma në Drejtësi. 21 korriku 2021 shënoi pesëvjetorin e votimit të njëzëshëm parlamentar të ndryshimeve kushtetuese që mundësuan fillimin e Reformës në Drejtësi. Këta pesë vjet duhen parë gjithashtu në kontekstin e tri dekadave që kanë kaluar që kur Shqipëria doli nga diktatura komuniste dhe nisi ndërtimin e sistemit të saj demokratik. Demokracia dhe reforma demokratike është një proces i vazhdueshëm që përfshin gjithë shoqërinë dhe reforma gjyqësore është pjesë e kësaj reforme më të madhe. Ajo synon të zëvendësojë korrupsionin dhe mosndëshkimin me integritet, pavarësi, transparencë dhe standarde europiane në sistemin e drejtësisë, dhe në këtë mënyrë të rifitojë besimin e publikut në sistem.

Pesë vjet të reformës kanë treguar kompleksitetin e saj, të demonstruar jo më pak nga vetingu dhe pasojat e tij të gjera. Zbatimi nuk ka qenë as i lehtë, as i përsosur. Por, ndonëse ka mësime për të nxjerrë, domosdoshmëria dhe legjitimiteti absolut i kësaj reforme gjyqësore është konfirmuar vazhdimisht edhe nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Është e drejtë t’i pranojmë rezultatet konkrete që ka sjellë reforma deri tani, të cilat na bëjnë të kujtojmë rëndësinë e saj për Shqipërinë dhe na sjellin ndërmend se sa të paimagjinueshme ishin këto rezultate vetëm disa vjet më parë. Ne kemi sot institucione plotësisht të pavarura të drejtësisë – domethënë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, Inspektoratin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK-un – që japin rezultate çdo ditë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë po japin gjithashtu vendime të rëndësishme. Procedurat penale kundër 23 ish-magjistratëve të shkarkuar nga vetingu janë duke u zhvilluar, përfshirë 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa SPAK-u ka dërguar për gjykimin çështjet e ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të dy gjykatave më të larta. Më lejoni të theksoj rëndësinë vendimtare të vendimeve të para përfundimtare për konfiskimin e pasurive dhe transferimin e pronës së tyre shtetit në një numër të madh rastesh të zyrtarëve publikë dhe figurave të shquara.

Duke parë nga e ardhmja, objektivat dhe sfidat kryesore për vitet e ardhshme do të jenë përfundimi i Reformës në Drejtësi. Kjo do të kërkojë fuqi, nganjëherë edhe pragmatizëm. Do të kërkojë elasticitet, kompetencë dhe udhëheqje nga institucionet e reja të drejtësisë. Parlamenti i ri dhe qeveria e re do të kenë përgjegjësi të rëndësishme në këtë drejtim dhe BE-ja është e gatshme të mbështesë çdo përpjekje për këtë qëllim. Reforma në Drejtësi është dhe do të mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në në Shqipëri. Investimi i BE-së në sektor flet më shumë se fjalët në këtë drejtim: 50 milionë euro janë investuar deri tani dhe 9 milionë euro të tjera pritet të vijnë.

Ne nuk do të ndalemi së bëri këtë, sepse duam ta shohim Shqipërinë më pranë BE-së. Ka vetëm një rrugë, dhe ajo është përpara – drejt Bashkimit Europian dhe drejt një sistemi drejtësie që plotëson standardet evropiane. Siç mund ta dini, së bashku me kolegët e mi ambasadorë të Shteteve Anëtare të BE-së kemi udhëtuar me autobus në të gjithë vendin, nga Vermoshi në Konispol, majin e kaluar për Javët e Evropës 2021. Për të takuar popullin shqiptar aty ku jeton, punon dhe studion dhe për të parë vetë se si është zbatuar asistenca e Ekipit Evropa për të ndihmuar integrimin në BE të vendit në vitet e fundit. Rezultatet ishin shumë pozitive, në disa raste mbresëlënëse. Jam krenar që shoh se integrimi në BE funksionon në terren, ai tashmë po ndodh çdo ditë duke përmirësuar jetën e kaq shumë shqiptarëve. Integrimi në BE është rruga për të ecur përpara dhe për Shqipërinë më e mira ende pritet të vijë.

/panorama

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT