16.5 C
Tiranë
Thursday, November 28, 2024
spot_img

Luks apo veshje të lira? Mësoni se çfarë shpenzojnë më tepër shqiptarët

Edhe gjatë vitit 2022, shqiptarët kanë vijuar të vishen me stil, por me marka veshjesh “cheap”. Dy vjet pas pandemisë Covid-19, në Shqipëri shpenzohet më tepër për veshje të markave që ofrojnë çmime ekonomike dhe komode në stil sesa ato të luksit.

Operatorët e tregtimit të veshjeve pohojnë se arsyeja kryesore janë të ardhurat e ulëta për të përballuar financiarisht veshje të shtrenjta.

Në anën tjetër, ndonëse në Shqipëri prurjet ekskluzive të shumë markave luksoze, por edhe të atyre medium high mbeten të kufizuara, kërkesa nga të pasurit për veshjet firmato të tregtuara në Tiranë është rritur.

Ekspertë të tregut rekomandojnë se është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë për ofrimin e garancive për funksionimin e tregtisë së markave, siç është kufizimi i produkteve të falsifikuara, me qëllim thithjen e sa më shumë prej tyre. Ndërsa tregu i vogël vlerësohet si ndër arsyet kryesore për moszgjerimin e dyqaneve të veshjeve të shtrenjta.

 

 

Të pasurit nuk kanë ndalur edhe stilimet e veshjeve nga stilistët më në zë të kryeqytetit. Por “mania” për t’u shfaqur në “Instagram” me larmi veshjesh të bukura dhe plot sharm po dëmton biznesin klasik të atelieve.

Kriza e shtëpive më të mëdha të modës në Francë dhe Milano po ndihet edhe në Shqipëri. Stilistët shqiptarë janë duke përgatitur sfilatat për lançimin e linjave të veshjeve “alta moda”, por që do të ofrohen me qira, për shkak të fluksit të lartë të kërkesës dhe për të mos rrezikuar falimentimin.

Pse është rritur kërkesa për veshjet e markave ekonomike

Në vitin 2021, ndër shumë marka të veshjeve me çmime ekonomike dhe stil bashkëkohor, për shqiptarët më të preferuarat ishin ato të markës “LC WAIKIKI”, “Zara” dhe disa marka që tregtohen nga kompania “Fashion Group Albania”.

Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat e kompanisë “LC WAIKIKI Retail AL Sh.p.k.” në vitin 2021 arritën në 4,6 miliardë lekë, rreth 37% më shumë se në 2020.

Në vitin 2021, të ardhurat e kompanisë “ITX Albania” (që përfshin dyqanet e veshjeve si: “Zara”, “Bershka”, “Pull & Bear”, “Stradivarius”, “Massimo Dutti” dhe “Zara Home”) ishin 4,5 miliardë lekë, me rritje 36% në raport me vitin pasardhës, sipas të dhënave të tatimeve (kompania nuk ka dorëzuar bilanc).

Të ardhurat ishin në rritje në vitin 2021 edhe për kompanitë “In Sport”, që është e treta më e madhe në vend, me 25%, në 1.5 miliardë lekë.

Kërkesa ka qenë e lartë edhe për veshjet e tregtuara të markave, si “Aldo”, “High Spirits”, “Hoss Intropia”, “Okaidi & Obaibi”, “Pedro Del Hierro”, “Mango”, “Geox”, “Springfield”, “Cortefiel”, “Women Secret”, “Carpisa”, “Parfois” dhe “Prenatal” të “Fashion Group Albania”. Të ardhurat e kompanisë në vitin 2021 u rritën rreth 26% në krahasim me në 2020-n, në 919 milionë lekë.

Së shpejti, në TEG nga Balfin Group do të hyjnë në tregun shqiptar edhe veshjet e markës H&M. H&M është shitësi i dytë më i madh ndërkombëtar i veshjeve, pas Inditex, kompania mëmë e Zara. Të dyja markat, H&M dhe Zara, janë sjellë në Shqipëri nga Balfin Group.

Mehmet Memo, menaxher për Shqipërinë i kompanisë “LC WAIKIKI Retail AL Sh.p.k” tha për “Monitor” se edhe pse çmimet në të gjithë tregun janë rritur, tendenca për veshje vazhdon me ritme të larta.

“Si pasojë e rritjeve të kostove, transportit, lëndët e para dhe kostot e punës, tregu i veshjeve këtë vit nuk mundi t’i shpëtojë rritjes së çmimit të shitjes.

Me gjithë rritjen e çmimeve rreth 10%, tendenca e shitjeve në krahasim me vitin 2021 është e qëndrueshme, në të njëjtat nivele me sasitë e shitura, ndërsa në vlerë rreth 10% më shumë se viti 2021.

Megjithatë, 2021 pati ecuri shumë të mirë, pasi ishte viti pas pandemisë, dhe u karakterizua nga një kërkesë e akumuluar dhe rritje të turistëve”.

Në segmentin ku operon kompania “LC WAIKIKI Retail”, ku fokusi dhe target grupi kryesor është familja, sipas z. Memo, shitjet më të larta janë për fëmijët, ndjekur nga meshkujt dhe më pas femrat, duke qenë se konkurrenca në kategorinë e femrave është më e lartë.

Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”, që tregton veshjet e markës luksoze “Boggi Milano”, pohon se edhe pse në Shqipëri ekziston prirja për t’u veshur me veshje të shtrenjta, të ardhurat e ulëta mundësojnë më tepër kërkesën për veshje me çmime ekonomike.

“Shqiptarët kanë shumë shije dhe që herët kanë pasur dhe vijojnë të kenë ndikim perëndimor. Pra na pëlqen e bukura, e duam të bukurën dhe kërkojmë elegancë apo stilin në mënyrën sesi vishemi.

Kjo nuk ndodh vetëm në industrinë e fashion-it, por edhe sektorë të tjerë, si të ushqimit, pijeve etj. Shqiptarët kryesisht shpenzojnë shumë për veshje dhe kjo është tepër pozitive, sepse është një mënyrë për të treguar identitetin e tyre dhe për të shprehur elegancë.

Kanë prirje për veshje luksi, por situata ekonomike nuk ndihmon, sidomos edhe pas pandemisë, prandaj mendoj që më shumë shpenzojnë tek veshjet ekonomike”.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2021, paga mujore mesatare në Shqipëri ishte 436 euro. Ky është niveli më i ulët i pagave, krahasuar me vendet e rajonit.

Paga mesatare në Kosovë në vitin 2021, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ishte 477 euro; në Maqedoninë e Veriut, 685 euro; në Bosnjë-Hercegovinë, 770 euro; në Serbi, 775 euro dhe në Malin e Zi, 780 euro në muaj, ku është niveli më i lartë për pagat e rajonit.

Në vitin 2021, sipas të dhënave të Eurostat, në shtete europiane, si: në Itali, paga mesatare ishte 2,500 euro; në Greqi 1,500 euro, Gjermani 4,000 euro; në Francë, 3,100 euro dhe në Angli, 3,390 euro.

Në Shqipëri, çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Europës. Eurostat përllogariti se çmimet e artikujve ushqimorë në Shqipëri ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu, niveli më i lartë në rajon.

Ecuria vërtetohet edhe me konsumin e brendshëm, kur 42% e shpenzimeve të përgjithshme mujore të shportës së mallrave shkojnë për blerjen e ushqimeve, niveli më i lartë në rajon (në shtetet e tjera arrin maksimumi në 35% në Kosovë) dhe BE (ku vetëm 13% e shpenzimeve totale shkojnë për ushqime).

Por Shqipëria është më e shtrenjta në rajon edhe për veshjet. Çmimet e tyre i afrohen mesatares së BE-së.

Sa po shiten veshjet e luksit

Në disa nga zonat komerciale më të njohura në Tiranë, si: “Arena”, “Coin” apo “Europian Trade Center” (ETC) janë shtuar dyqanet që tregtojnë veshjet firmato.

Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”, që tregton veshjet e markës luksoze italiane “Boggi Milano”, pohon se kërkesa për këtë sektor ka qenë në rritje.

“‘Trendi i kërkesës ka qenë në rritje në vitin 2022 dhe presim që edhe 2023-shi të jetë i lartë. “Boggi Milano” ka klientelën bazë besnike, por gjithashtu çdo muaj kemi klientë të rinj që kthehen në klientë besnikë shumë shpejt.

Eleganca italiane e markës është një formulë që ka funksionuar gjithmonë në tregun shqiptar. Mendoj që jetojmë në një epokë luksoze dhe kemi informacion të shpejtë për trendet e reja, ku kryesisht lançohen nga marka luksoze.

Kërkesa për veshje luksoze do të ketë gjithmonë dhe sidomos pranë periudhës festive, të gjithë kanë predispozitë të shpenzojnë pak më shumë dhe t’i bëjnë qejfin vetes, apo të afërmeve gjatë festave”.

Znj. Xhabafti shton se këtë vit, ndryshim çmimi ka pasur më shumë te markat luksoze, ndërsa te markat mesatare, ka qenë një ndryshim minimal, ku kompanitë kryesisht kanë sakrifikuar marzhet e veta për të mos reflektuar ngritje çmimi te klientët.

Pse mungojnë shumë marka luksoze veshjesh në Shqipëri

Ekspertë të tregtimit të veshjeve nënvizojnë se tregu i vogël i Shqipërisë dhe informaliteti te falsifikimi i markave janë arsyet kryesore që disa marka të njohura ndërkombëtare nuk vijojnë në vendin tonë. Shumë shqiptarë i blejnë veshjet firmato jashtë për shkak të garancisë së markës.

Era Xhabafti thekson se numri i ulët i individëve me të ardhura të larta e ka bërë të vështirë zgjerimin e këtij tregu. Markat e luksit janë në kulmin e lulëzimit në mbarë botën. Jetojmë në epokën e luksit, sepse edhe informacioni që kemi për të bukurën përthithet shpejt, sidomos nga rrjetet sociale sot.

Marka si “Channel”, “Dior”, “Louis Vuitton”, pas pandemisë dhe luftës Rusi-Ukrainë, kanë rritur çmimet në mënyrë progresive, por kjo nuk ka ndikuar te target grupi i tyre, gjithashtu ka rritje të madhe të blerësve të parë të markave. Sigurisht, segmenti që ata targetojnë nuk preket lehtë nga kriza.

Shqipëria ka plot mundësi për të pasur marka të tilla, por, sipas ekspertëve, duhen të plotësohen disa kritere dhe standarde që markat të funksionojnë. Së pari kemi mungesën e një rruge të mirëfilltë tregtare me standarde europiane.

Tregu për marka luksoze ekziston edhe në Shqipëri, por situata ekonomike, pagat mesatare duhet të kenë një trend rritje, që edhe këto dyqane të funksionojnë mirë”.

20 markat firmato më të kërkuara në botë

Sipas renditjes të “The Lyst Index”, për markat dhe produktet më të njohura të markave të shtrenjta të modës, Guçi ruan vendin numër një për të dytin tremujor radhazi, ndërsa më pas pozicionohen markat, si: Prada, Valentino, Balenciaga, Miu Miu, Dior, Fendi, Diesel, Louis Vuitton dhe Versace.

Në listën me 20 kompanitë më të kërkuara të markave luksoze të veshjeve, në 10-en e dytë për 3-mujorin e tretë 2022 u pozicionuan markat, si: Bottega Veneta, Dolce & Gabbana, Saint Laurent, Loewe, Nike, Jacquemus, Moncler, Adidas, Burberry dhe e fundit u rendi Off-White.

“Lyst Index është një renditje tremujore e markave dhe produkteve më të njohura të modës. Lyst është një kompani e teknologjisë së modës dhe një aplikacion blerjesh premium, i përdorur nga më shumë se 200 milionë njerëz çdo vit për të shfletuar, për të zbuluar dhe për të blerë artikuj nga markat dhe dyqanet.

Formula për renditjen e shitjeve të markave të luksit, merr parasysh edhe sjelljen e blerësit të Lyst, duke përfshirë kërkimet brenda dhe jashtë platformës, shikimet e produkteve dhe shitjet.

Për të gjurmuar kërkesën për markën, formula përfshin gjithashtu përmendjet e mediave sociale, statistikat e aktivitetit dhe angazhimit në mbarë botën, në një periudhë 3- mujore.

Për 3-mujorin e tretë 2022 rezulton se kërkimet për Prada u rritën 44% në raport me periudhën paraardhëse, duke e çuar markën në pozicionin e dytë dhe vendosjen e saj më të lartë ndonjëherë në Indeks, falë kërkesës solide për aksesorët, najloni dhe syzet e diellit gjatë verës. Marka simotër Miu Miu u ngjit me dy vende, duke u renditur në vendin e pestë.

Në shtator, shfaqjet e mëdha dhe pjesëmarrja e disa personazheve të famshëm në javën e modës në Milano dhanë rezultate shpërthyese në shitjet e veshjeve firmato. Paris Hilton eci në pistën e Versace, duke shkaktuar një rritje prej 2000% në kërkimet për markën. Dolce & Gabbana ngjitet me tre vende në renditje, pas angazhimit të Kim Kardashian si kuratore e koleksionit dhe ambasadore e markës.

Bottega Veneta u rrit deri në gjashtë pozicione krahasuar me 3-mujorin e dytë ku ishte pozicionuar në vendin e 17, për shkak të kërkesës së lartë për çantën luksoze Kalimero nga koleksioni i stilistit Matthieu Blazy.

Ndërsa ndarja e dasmës në Istagram të stilistit të markës Jacquemus afroi pozicionimin nga vendi i 20-të në 3 mujorin e dytë, në vend të 16 për indeksin e ri.

Këpucët e sheshta (balerina) të markës Miu Miu janë produkti më i nxehtë i tremujorit, me një rritje prej 1100% në kërkime. Të veshura nga modelet Bella Hadid, Sydney Sweeney dhe Rosalia, këto këpucë janë kthyer në këpucët më të shitura pas pandemisë.

Adidas Samba është e vetmja atlete që hyn në listën e produkteve më të kërkuara. Syzet e diellit mbështjellëse të Balenciaga janë produkti hero pas trendit më të madh të syzeve të sezonit, me blerësit që kërkojnë nuancat sportive dhe rave.

Stili i syzeve ovale të markës Balenciaga janë më të kërkuarat sipas “Lyst Index”, por blerësit shohin gjithashtu edhe stile të ngjashme në formë të markave Bottega Veneta dhe Versace./Monitor

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT