TIRANË – Në një ndër fjalimet më ironike të seancës plenare të ditës së sotme, deputeti i PD-së dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, përdori humor dhe sarkazëm për të komentuar ndërhyrjet e kolegëve socialistë, duke propozuar madje krijimin e një konkursi “Miss Fjalimi” ose “Mis<s Oratoria” për fjalimet e tyre në sallën e Parlamentit.
Duke e cilësuar projektligjin e diskutuar si një që “e nxjerr Shqipërinë në selamet”, Gjekmarkaj falënderoi ministrin Taulant Balla për angazhimin pranë Ministrisë së Energjetikës, duke e quajtur “yzmeqar energjetik”, me nënkuptimin se ministri po kërkon të justifikojë pagën në mungesë aktiviteti parlamentar.
Fjalimi i Gjekmarkajt përfshiu nota të forta ironie edhe ndaj fjalimeve të disa deputetëve të PS-së:
“Dy fjalimet e zotit Balla, ai i zonjës Resuli, zonjës Antoneta dhe i Dilo Nasufit, meritojnë një komision estetik. Do të propozoja Pastorin, njeriun e Zotit, Toni Gogun, sepse janë në nivele të larta estetike”, – u shpreh ai, duke vijuar me propozimin që fjalimi fitues të lexohet në seancën e fundit të Kuvendit si akt për “higjenë mendore dhe shpirtërore”.
Reagimi nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali nuk mungoi, duke i kujtuar Gjekmarkajt se ky nuk ishte një diskutim procedural dhe duke i sugjeruar që t’i dërgojë komentet me shkrim.
Në fund, Gjekmarkaj nuk hezitoi të përmbyllë me një tjetër thumbim elegant:
“Fjalimi fitues të lexohet në seancën e fundit, në respekt të shëndetit mendor të deputetëve.”
Fjala e Gjekmarkajt u prit me të qeshura dhe reagime të përziera në sallë, duke treguar edhe një herë aftësinë e tij për të përdorur ironinë si armë politike në debatet parlamentare.






