Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, zhvilloi sot mbledhjen e Asamblesë së Zgjeruar të PS Kavajë, duke nisur zyrtarisht procesin e forcimit të strukturave organizative në këtë bashki për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se “Ndërsa Shqipëria shënoi në vitin 2025 rekordin historik të turistëve të huaj, Kavaja me bregdetin e saj merr një vend të rëndësishëm si destinacion i lakmuar turistik. Kjo rritje e paimagjinueshme ka çuar në rritjen e bizneseve të zonës dhe të të ardhurave për banorët dhe Bashkinë.”
Megjithatë, drejtuesi socialist paralajmëroi se ky sukses po përballet me sulme të qëllimshme nga opozita. “Molotovët e Sali Berishës duan të godasin pikërisht ekonominë turistike, me shpresën e këtij të plaku të rrjedhur se duke dëmtuar turizmin dhe imazhin e Shqipërisë, shqiptarët do t’i japin atij votën në Zgjedhjet e vitit 2029”, shkroi Balla.
Deklaratat e tij vendosin theksin mbi tensionet politike që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe turistik të Kavajës, duke e bërë qytetin një zonë kyçe të monitorimit politik për zgjedhjet e ardhshme.






