11.5 C
Tiranë
Tuesday, October 22, 2024
spot_img

Monika Kryemadhi reagon ndaj akuzave të SPAK: “Beteja ime është me Edi Ramën”

Një ditë pasi iu komunikuan tre akuza nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mos-deklarim të ardhurash, Monika Kryemadhi ka bërë të ditur se nuk do ta refuzojë zbatimin e vendimit për detyrimin e paraqitjes nga Gjykata e Posaçme. Ajo theksoi: “Patjetër, do e respektoj masën. Kjo është edhe drejtësia e kastruar e Edi Ramës. Beteja nuk është te forca, por te argumenti.”

Pavarësisht këtij vendimi dhe akuzave të drejtësisë, Kryemadhi i cilëson ato si politike, të urdhëruara nga Edi Ramën. “I kam toleruar edhe për sjelljen e tyre, se në fund të fundit janë ushtarët e Ramës. Beteja ime nuk është me ta. Para ca vitesh ishte Karaja, tani Dumani, të gjithë janë kalimtarë; ata janë ushtarët e bindur të një perandorie të kapur nga krimi dhe e bëjnë këtë me zell të madh. Beteja ime është betejë politike me Ramën dhe ata që i shërbejnë Ramës,” tha Kryemadhi.

Ajo justifikoi ish-bashkëshortin e saj, të arrestuar për të njëjtat akuza, duke thënë se ai nuk ka kryer asnjë veprim bankar. “Kam paguar unë çdo transaksion në shkolla, kam paguar ujë e drita. Ilir Meta është marrë me politikë,” vijoi Kryemadhi.

Kur u përmendën faturat e padeklaruara për shpenzime shëndetësore, të cilat SPAK evidenton se kapin shifrën 106,125 euro në 6 vite, Kryemadhi pranoi se janë bërë edhe pagesa në cash, por tha se ato janë për operacionet e fëmijëve të saj dhe jo për operacione plastike. “A e ka deklaruar Rama operacionin e fëmijës së vet? Kush ua ka paguar, si e ka bërë, a e ka hetuar SPAK këtë gjë? A do bëjë deklaratë Dumani për hetimin e shërimit të djalit të Edi Ramës? Nxjer SPAK faturën 1800 euro të heqjes së limfomes së fëmijës tim dhe heqjes së qafës së mitrës që kisha unë me kancer dhe thotë si operacion plastik. S’kam bërë asnjë operacion plastik, se po ta kisha bërë, s’do kisha turp ta thoja. Kam bërë një mbajtje të vetes sime si grua, vajzë,” theksoi Kryemadhi.

Ajo mohoi gjithashtu episodin ku përmendet blerja përmes kredisë nga nëna e saj e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro dhe theksoi se të afërm të saj janë kërcënuar për të dëshmuar. “Mjeku kirurg që ka operuar fëmijën tim e kanë marrë si kriminal në Rinas. I kanë hequr lidhëset dhe rripin dhe e kanë trajtuar si një kriminel. Kur ndërkohë, SPAK kishte kartelën mjekësore të fëmijës, timin, analizat e mia. Për ca e marrin mjekun si kriminel për ta intimiduar? Personin që mamaja i ka blerë shtëpinë, e kanë kërkuar dhe e kanë detyruar të thotë që mi ka dhënë lekët cash në dorë. Personin që i kam blerë unë shtëpinë, e kanë kërcënuar 3-4 herë, e kanë futur edhe brenda me akuza të tjera për ta frikësuar. U kanë kërkuar të bëjnë deklaratat e rreme,” vijoi Kryemadhi.

Në konferencën për gazetarët, Monika Kryemadhi u ndal edhe te mënyra e arrestimit të Metës, duke e kritikuar drejtpërdrejt policinë. “Na del edhe një motërfucker atje, që e godet në kokë! Harrojnë që Shqipëria është sa një fshat, të gjithë e njohim njëri tjetrin,” u shpreh ajo.

Edhe pse tani është në pozitat e ish-bashkëshortes së njeriut që, siç tha, eci krah për krah jo vetëm në jetë, por edhe në politikë, dhe tashmë ai është në burg, Kryemadhi i dërgon një mesazh dashurie: “Çdo gjë e kam menduar, por kurrë divorcin. Mund të kisha krim pasioni me Metën, por divorcin me Metën nuk e kam menduar kurrë. E kam dashur dhe e dua. S‘ka rëndësi se çfarë bën Meta. Ai është babai i fëmijëve të mi, është njeriu që më ka bërë këtë që jam.”

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT