Mbledhja e Komisionit Hetimor për Koncesionet e Sterilizimit dhe Check-Up-in në Shëndetësi u shoqërua me përplasje të forta mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Situata u tensionua gjatë dëshmisë së Genc Byrazerit, ish-anëtar i Komisionit, ku kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, u përball me kritika nga nënkryetari, deputeti socialist Plarent Ndreca.
Ndreca akuzoi Vokshin për intimidim të dëshmitarit, duke theksuar se pyetjet e saj ishin të sugjestionuara dhe kërkonin përgjigje të caktuara. Kjo ndërhyrje shkaktoi debate për disa minuta, duke ndërprerë përkohësisht dëshminë e Byrazerit.
Pjesë nga debati:
Ndreca: “Po bën pyetje intimiduese ndaj dëshmitarit. Pyetjet e tua janë orientuese dhe sugjestionuese, që e çojnë dëshmitarin në përgjigje të caktuara. Nuk lejoj të bëhen pyetje që kufizojnë dëshmitarin.”
Vokshi: “Ju punoni me mesazhe!”
Ndreca: “Me mesazhe punoni ju! Nuk pranoj të kufizohet dëshmitari. E ke bërë të njëjtën pyetje tre herë!”
Vokshi: “Unë po respektoj ligjin dhe po pyes për marrëveshjet e firmosura dhe informimin e publikut.”
Debatet arritën kulmin kur Ndreca ngriti zërin, duke akuzuar Vokshin se po e përdhoste dëshmitarin dhe se po përpiqej të ndikonte në rrjedhën e përgjigjeve. Në një moment, Vokshi iu kundërpërgjigj me kërkesën që Ndreca të mos ngrinte zërin, por deputeti socialist vazhdoi të theksonte të drejtën e tij për të folur, duke pretenduar se po përfaqësonte zërin e qytetarëve.
Ndreca: “Dua dinjitet për dëshmitarin, dhe e përdhosim duke e intimiduar. Kjo është e turpshme!”
Vokshi: “Mos ma ngri zërin!”
Ndreca: “E ngre, nuk marr leje nga ti për këtë!”
Kjo përplasje tregon tensionet e larta që kanë shoqëruar mbledhjet e Komisionit Hetimor, me përplasje të vazhdueshme mes dy palëve politike lidhur me koncesionet në sektorin e shëndetësisë.