Rritja e menjëhershme e çmimit të karburanteve ka vënë në vështirësi ekonomike qytetarët shqiptarë, ndërsa opozita akuzon qeverinë për mosveprim dhe tolerim të spekulimit në treg.
Në një intervistë për gazetarin Edvin Parruca, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në rreth 2.4 euro për litër, ndjeshëm më i lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian, ku sipas tij lëviz rreth 1.8 euro.
Sipas Boçit, kjo rritje “galopante” nuk është një fenomen i izoluar, por sjell një efekt zinxhir në ekonomi, duke rritur kostot e transportit dhe për rrjedhojë çmimet e produkteve bazë dhe shërbimeve.
“Nafta është produkt bazë dhe ndikon drejtpërdrejt në jetën e çdo qytetari, edhe të atij që nuk ka makinë. Sot një pjesë e madhe e qytetarëve detyrohen të shpenzojnë më shumë për ushqim, transport dhe shërbime jetike”, u shpreh ai.
Boçi kritikoi mungesën e ndërhyrjes së qeverisë, duke theksuar se ajo ka në dispozicion mekanizma për të lehtësuar barrën fiskale mbi karburantet, por sipas tij nuk po i përdor.
Ai ironizoi edhe deklaratat e mëparshme të përfaqësuesve të qeverisë, të cilët kishin pohuar se Shqipëria nuk do të ndikohej nga zhvillimet ndërkombëtare në tregun e naftës.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i opozitës akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor situatën për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme.
“Rama është mësuar të bëjë propagandë. Ndërton borde, pretendon kontroll tregu, por në fakt nuk ndërhyn. Vëmendja e tij është tek pozicioni personal dhe tek problemet me drejtësinë”, deklaroi Boçi.
Ai shtoi se vendi përballet me një “krizë korruptive”, duke përmendur aferat e inceneratorëve, koncesionet dhe situatën me negociatat për integrimin në BE.
Sipas Boçit, një tjetër problem i madh mbetet evazioni fiskal në tregun e karburanteve. Ai theksoi se ekziston një mospërputhje e dukshme mes rritjes së numrit të automjeteve dhe sasisë së deklaruar të karburantit të shitur ndër vite.
“Numri i makinave rritet çdo vit, por sasia e deklaruar e naftës mbetet pothuajse e njëjtë. Kjo tregon qartë për një nivel të lartë evazioni”, u shpreh ai.
Në përfundim, Boçi kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur qytetarët nga pasojat e krizës.






