Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi nga foltorja e Parlamentit se raporti i Këshillit të Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit të zv.kryeministres Belinda Balluku do të paraqitet në seancën e 12 marsit.
“Sipas rregullores, Grupet parlamentare janë të detyruara brenda dy javësh të paraqesin raportin. Palët në Këshillin e Mandateve me opinionet e tyre duhet të paraqiten raportin brenda dy javësh. Raporti duhet të përmbajë mendimet e të gjitha palëve. Kemi vendosur në këshill dy relatorë. 5 deputetët e opozitës e kanë paraqitur raportin ndërkohë deri më 9 mars bëhen dy javë, brenda së cilës përfaqësuesit e maxhorancës janë të detyruar të sjellin raportin. Në seancën e radhës, 12 mars, do të paraqitet raporti në atë seancë,” deklaroi Peleshi.
Ai shtoi se afati tre mujor për shqyrtimin e dosjes përfundon më 16 mars, por seanca e ardhshme do t’i paraprijë kësaj date. Peleshi theksoi gjithashtu se propozimet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ndryshime në rregullore do të ndjekin procedurën normale, duke u ftuar kryetarët e grupeve për të shkëmbyer mendime dhe sugjerime në ditët në vijim.






