22.5 C
Tiranë
Tuesday, September 24, 2024
spot_img

Njëqind lekë për litër karburanti/ Ja si do bëhet kompensimi për naftën i shoqërive të transportit

Zbardhen kriteret dhe kushtet e përfitimit të kompensimit të shoqërive të transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase, me njëqind lekë për litër karburanti, pjesë e paketës së dytë antikrizë të qeverisë.

Në vendimin e marrë sot në Këshillin e Ministrave, bëhet me dije se kompensimi do të bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën: gusht, shtator, tetor 2022, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2021, për secilën nga shoqëritë.

Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, do të bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore ku është regjistruar.

Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji shtator 2022.

Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË KOMPENSIMIT PËR SHOQËRITË E TRANSPORTIT TË LINJAVE QYTETASE, RRETHQYTETASE DHE NDËRQYTETASE, PJESË E PAKETËS ANTIKRIZË, FAZA II

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. TË PËRGJITHSHME

Kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase, në masën 100 (njëqind) lekë për litër karburanti, për një periudhë tremujore: gusht, shtator, tetor 2022. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën: gusht, shtator, tetor 2022, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2021, për secilën nga shoqëritë.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E KOMPENSIMIT

1. Kërkesa për të përfituar kompensimin financiar, të përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, bëhet nga subjekti çdo muaj pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës është regjistruar, e cila bën verifikimin e dokumentacionit të paraqitur.

2. Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, nën juridiksionin e së cilës janë regjistruar, dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Kopjen e licencës përkatëse, të vlefshme për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NUIS;
ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
d) IBAN-in e llogarisë bankare (jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë);
dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: gusht, shtator, tetor, të viteve 2021 dhe 2022;
e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën: gusht, shtator, tetor të viteve 2021 dhe 2022, duhet të paraqesin edhe:

i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas;
ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve gusht, shtator, tetor, të viteve 2021 dhe 2022, të përdorur për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, sipas targave të mjeteve.

3. Kërkesat nga subjektet paraqiten pas datës 10 (dhjetë) të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji shtator 2022.

4. Në rastin kur konstatohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti janë të paplota apo kanë mangësi, administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune, e kthen kërkesën me qëllim plotësimin e dokumentacionit.

5. Administrata tatimore, pas verifikimit të dokumentacionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, dërgon pranë degës përkatëse të thesarit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune, urdhërshpenzimet, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese, sipas bankave të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë e tyre bankare.

6. Për shoqëritë e regjistruara pas muajit tetor të vitit 2021, si vlerë reference për kompensim do të merret vlera më e lartë e konsumit të karburantit, për periudhën janar-shkurt 2022.

7. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore mund të kryejnë edhe verifikime në vend, në rast konstatimi të pasaktësive në dokumentacionin e paraqitur në kërkesë.

8. Struktura e thesarit në degë, mbas marrjes së urdhërshpenzimit me listën e përfituesve, sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen pagesën brenda 5 (pesë) ditëve pune.

III. ÇËSHTJE TË FUNDIT

1. Kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 dhjetor 2022.

2. Efekti financiar i këtij vendimi përballohet nga fondi i kontingjencës për paketën e rezistencës sociale ndaj pasojave të krizës, miratuar për vitin 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT