Ideja se mjafton të balancosh kaloritë që merr me ato që shpenzon për të mbajtur peshën trupore është e përhapur, por studimet e fundit tregojnë se realiteti është shumë më kompleks. Ekspertët e ushqyerjes nënvizojnë se jo të gjitha kalorite përpunohen njësoj nga trupi dhe mënyra si hamë ndikon drejtpërdrejt në metabolizëm.
Profesoresha e ushqyerjes Sarah Berry nga King’s College London shpjegon se i njëjti ushqim mund të metabolizohet ndryshe nga një person tek tjetri, për shkak të faktorëve biologjikë dhe të mikroorganizmave që jetojnë në zorrë. Përveç përmbajtjes së ushqimit, rëndësi ka edhe koha kur hamë. Studimet tregojnë se personat që konsumojnë pjesën më të madhe të kalorive në mëngjes humbin më shumë peshë sesa ata që hanë kryesisht në mbrëmje, edhe pse marrin të njëjtën sasi kalorish. Kufizimi i intervalit kohor të ngrënies gjatë ditës dhe shmangia e vakteve të vona lidhet gjithashtu me nivele më të larta të sheqerit dhe kolesterolit në gjak.
Shpejtësia e ngrënies është po aq e rëndësishme. Personat që hanë shpejt konsumojnë më shumë kalori, ndërsa ngrënia e ngadaltë ndihmon në çlirimin e hormoneve që rregullojnë oreksin dhe rrit ndjenjën e ngopjes. Trupi i nevojitet 15 deri në 60 minuta për të aktivizuar plotësisht sinjalet e ngopjes, ndaj marrja e kohës gjatë vakteve mund të parandalojë mbingrënien dhe të ndihmojë në kontrollin e sheqerit në gjak.
Edhe mënyra si përtypim ushqimin ndikon tek kaloritë që përthithim; për shembull, bajamet japin më pak kalori nëse nuk përtypen plotësisht, ndërsa ushqimet e përpunuara absorbohen më shpejt, duke rritur konsumimin e kalorive. Një faktor tjetër kyç është mikrobioma e zorrëve – bakteret që jetojnë në sistemin tretës dhe që ndikojnë se si metabolizojmë ushqimin. Kjo shpjegon pse disa njerëz e kanë më të lehtë të mbajnë peshën trupore edhe kur hanë të njëjtin ushqim si të tjerët.
Ekspertët këshillojnë që përveç kontrollit të kalorive, duhet t’i kushtojmë vëmendje kohës së vakteve, ritmit të ngrënies dhe cilësisë së ushqimit. Një dietë e pasur me fibra, fruta dhe perime, e kombinuar me reduktimin e sheqerit, kripës dhe ushqimeve të përpunuara, mbetet çelësi për një shëndet më të mirë dhe një peshë trupore të qëndrueshme.






