Malësi e Madhe – Policia e Shkodrës ka zhvilluar një nga operacionet më të mëdha antikanabis të viteve të fundit, të koduar “Koordinata”, duke zbuluar një rrjet të gjerë kultivimi të bimëve narkotike në zonën e Bajzës dhe njësinë administrative Kastrat.
Si rezultat i kontrolleve intensive në fshatrat Alijaj dhe Jeran, u gjetën dhe u asgjësuan 12 957 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, ndërsa u sekuestruan gjithashtu:
• 1000 fara kanabis
• 709 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje
• 3934 kilogramë kanabis në proces tharjeje
Në total, rreth 5 ton drogë janë sekuestruar gjatë këtij operacioni, ndërsa janë arrestuar 14 persona, janë shpallur në kërkim 10 të tjerë dhe janë proceduar penalisht 2 shtetase.
Të arrestuarit
Në pranga përfunduan:
Elez Çulaj, 77 vjeç; Muho Çulaj, 72 vjeç; Fatmir Senaj, 57 vjeç; Drita Senaj, 53 vjeçe; Rezarta Jacaj, 36 vjeçe; Kujtim Laçaj, 60 vjeç; Elfajed Halaj, 26 vjeç; Agron Laçaj, 50 vjeç; Adrian Çekaj, 22 vjeç; Gjelin Çekaj, 48 vjeç; Miranda Çekaj, 25 vjeçe; Pjetër Çekaj, 66 vjeç; Çun Halaj, 70 vjeç dhe një 17-vjeçar.
Të shpallur në kërkim janë: A. Ç., 54 vjeç; G. U(C)., 38 vjeç; D. Ç., 33 vjeç; Sh. Ç., 49 vjeç; Gj. Ç., 50 vjeç; E. H., 33 vjeç; M. H., 37 vjeç; E. H., 40 vjeç; M. H., 46 vjeç dhe A. H., 35 vjeç.
Ndërkohë, shtetaset L. N., 53 vjeçe dhe N. N., 25 vjeçe u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Hetimet paraprake tregojnë se të dyshuarit kanë kultivuar kanabisin pranë banesave të tyre dhe në sera të improvizuara të ndërtuara mes zonave të pyllëzuara, duke synuar të shmangnin vëzhgimin ajror dhe kontrollin policor.
Për të maskuar veprimtarinë e tyre, disa prej të arrestuarve kishin instaluar sisteme vaditjeje moderne dhe përdornin fara të përzgjedhura për prodhim masiv.
Reagimi i policisë
Policia e Shkodrës deklaroi se do të vijojnë kontrollet intensive në të gjithë territorin për të zbuluar rrjete të tjera të përfshira në kultivimin e kanabisit.
“Ky është një nga operacionet më të mëdha të këtij viti. Hetimet vijojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e rrjeteve të tjera të përfshira”, – thuhet në njoftimin zyrtar.
Ky është rasti i tretë i rëndësishëm në Malësinë e Madhe brenda pak ditësh. Më herët, policia asgjësoi mbi 7 mijë bimë kanabis në dy raste të veçanta, duke e kthyer këtë zonë në epiqendër të një lufte intensive kundër kultivimit të drogës.






