Komisariati i Policisë Nr. 6 ka zhvilluar një operacion të suksesshëm për goditjen e veprimtarive kriminale të lidhura me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit. Operacioni, i koduar “Green”, u bazua në informacionet e siguruara në rrugë operative për një grup që shpërndante narkotikë në këtë zonë.
Gjatë operacionit, policia arrestoi në flagrancë katër shtetas: S. Ç., 29 vjeç, B. Ç., 32 vjeç, E. G., 37 vjeç, dhe R. Sh., 37 vjeç, të gjithë banues në Tiranë. Arrestimet u bënë në rrugën “Fabrika e Qelqit”, ku gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, të gatshme për shitje.
Verifikimet treguan se të arrestuarit siguronin lëndën narkotike në sasi të mëdha, e ndanin atë në doza dhe më pas e shpërndanin në lagje të ndryshme të Kombinatit.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.