Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka finalizuar operacionin e koduar “Jug & Veri”, duke goditur një grup kriminal të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëve në disa qytete të vendit. Si rezultat i ndërhyrjes u arrestuan katër persona, ndërsa u sekuestruan 41 kilogramë Cannabis Sativa, një armë zjarri kallashnikov me 32 fishekë, dy automjete dhe dy celularë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas disa javësh hetime me metoda speciale.
Në pranga ranë Arben Guçe, 31 vjeç; Elion Qeva, 29 vjeç; Fran Pjetra, 35 vjeç; si dhe Mark Muraca, 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky i fundit dyshohet se kishte vënë në dispozicion automjetin e tij për transportimin e lëndës narkotike.
Sipas Policisë, droga dyshohet se po transportohej drejt Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, me synim trafikimin jashtë vendit. Gjatë ndërhyrjes në unazën e Elbasanit, drejtuesi i njërit prej automjeteve, Arben Guçe, ka kundërshtuar efektivët dhe, në tentativë për t’u larguar, ka dëmtuar mjetin e shërbimit të Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal vijojnë.






