Durrës – Policia e Durrësit finalizoi operacionin e koduar “Storm 4”, duke zbuluar dhe goditur një rrjet prostitucioni që vepronte në një vilë dykatëshe pranë plazhit në lagjen nr. 13, Plazh.
Pas hetimeve të zhvilluara me metoda proaktive, u arrestuan katër shtetase kineze, të moshave mbi 45 vjeç, të cilat ushtrojnë aktivitetin e prostitucionit në ambientet e përshtatura të vilës së marrë me qira. Ndër ta, një prej tyre, 46-vjeçarja F. W., dyshohet se ka qenë drejtuesja dhe organizatorja e rrjetit.
Një shtetase angleze, 46 vjeçe, që dyshohet si bashkëorganizatore dhe pronare e vilës, është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë dhjetë persona të tjerë, përfshirë dy kineze dhe tetë shtetas shqiptarë, që dyshohet se kishin rol në këtë veprimtari kriminale.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar para të gatshme në euro dhe dollarë, celularë, karta banke dhe pasaporta të shtetaseve kineze.
Hetimet po vazhdojnë me fokus ndaj bashkëpunëtorëve të mundshëm, pasi dyshohet se rrjeti drejtohej nga jashtë vendit përmes një call center-i që organizonte telefonatat dhe aktivitetin.
Materialet e procedimit i janë dorëzuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Ky operacion vjen si një goditje e rëndësishme ndaj trafikimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit në zonën bregdetare, duke theksuar bashkëpunimin mes policisë, prokurorisë dhe forcave speciale për luftën ndaj krimit të organizuar.






