Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin me 10 ditë nga seancat plenare për ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Ky fakt është bërë i ditur nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Sipas PD-së, Spiropali përdori gjuhë fyese në drejtim të Edmond Spahos. “Një minutë heshtje për Edmond Spahon. Do jetë në zemrat tona”, tha Spiropali dje në Kuvend.
MESAZHI I ZHUPËS
Kërkojmë zyrtarisht përjashtimin 10 ditë nga kuvendi të Elisa Spiropalit për gjuhën e përdorur në drejtim të deputetit Edmond Spaho.
Duke përfituar nga përjashtimi pa rregulla i bërë deputetit Spaho dhe mos prezenca e tij në sallë që të merrte përgjigjen që meritonte, Elisa Spiropali nxorri arsenalin e saj fyes që i shkon përshtat komunikimit që përdorin rilindasit në zyrat e shtetit por që nuk përputhet me kodin etik të kuvendit.
Në parlament e kanë bërë zakon të fyejnë dhe të mallkojnë pa pyetur për kod etik sepse kanë kartonat e mandateve të blera që i mbrojnë dhe rregulloren e kanë kthyer në copë letër për recitim parlamentar.