DURRËS – Pas një zjarri të përmasave të mëdha që përfshiu tregun industrial në zonën e plazhit të Durrësit, prefekti i qarkut, Emiljano Jani, ka dalë në një deklaratë publike për të informuar mbi situatën dhe masat e marra nga strukturat e emergjencës.
Në fjalën e tij, Jani vlerësoi reagimin e shpejtë dhe ndërhyrjen e koordinuar të forcave zjarrfikëse nga Durrësi, Shijaku, Kavaja, Kamza dhe Autoriteti Portual, duke theksuar se falë këtij angazhimi u shmang një katastrofë më e madhe.
“Zjarri ishte masiv dhe tregu i përbërë nga mbi 20 dyqane verore kishte infrastrukturë tërësisht të përkohshme, me lidhje elektrike jashtë standardeve. Mendohet se një shkëndijë elektrike mund të ketë qenë shkaktari,” – tha Jani.
Ai nënvizoi se tregu në fjalë “nuk përmbushte asnjë kriter të sigurisë teknike” dhe menaxhohej nga një subjekt privat, çka sipas tij është një faktor shtesë që vështirëson kontrollin institucional.
“Dëmet materiale janë të konsiderueshme, por ajo që ka rëndësi është se nuk kemi viktima apo të lënduar. Puna për vënien nën kontroll të flakëve dhe hetimi për shkaqet vijon,” shtoi prefekti i Durrësit.
Zjarri, i cili shpërtheu në mesditë, ka shkaktuar panik në zonë dhe dëme të mëdha për tregtarët që operojnë prej vitesh në këtë treg veror. Sipas banorëve, kjo nuk është hera e parë që evidentohen probleme në infrastrukturën elektrike të tregut, por autoritetet nuk kanë marrë masa efektive më herët.
Hetimet pritet të zbulojnë nëse ka pasur neglizhencë institucionale apo shkelje ligjore nga ana e menaxhuesve të tregut. Ndërkohë, dhjetëra tregtarë kanë mbetur pa mallra dhe kërkojnë ndihmë emergjente për të rifilluar aktivitetin e tyre.






